Akuzohet për disa përdhunime, mbrojtësit të Manchester City i refuzohet për herë të tretë lirimi me kusht

Futbollistit të Manchester City, Benjamin Mendy, i është refuzuar lirimi me kusht para gjykimit normal për përdhunimin e tri femrave dhe sulme të tjera seksuale.

Francezit, 27 vjeç, kampion bote me Francën më 2018, i cili ka qenë në paraburgim prej rreth shtatë javësh, iu refuzua lirimi me kusht nga gjyqtari Patrick Thompson në një seancë 50-minutëshe në Gjykatën e Chester, nga e cila media u përjashtua të merrte pjesë.

I pandehuri, i cili nuk ishte vetë fizikisht në gjykatë, po mbahet në paraburgimin e “HMP Altcourse”, në Liverpool. Kjo ishte kërkesa e tretë për lirim me kusht, që avokatët e Mendy bëjnë, por të gjitha janë hedhur poshtë.

Mbrojtësi francez i ka mohuar katër akuzat për përdhunim dhe një për sulm seksual. Sulmet e supozuara seksuale ndaj tri femrave të ndryshme, duke përfshirë edhe një vajzë nën 18 vjeç, thuhet se kanë ndodhur në adresën e shtëpisë së tij, në “Withinlee Road” të Prestbury, Cheshire.

Femrat e abuzuara nuk janë identifikuar dot nga mediat britanike, edhe gjykata e ka ruajtur me fanatizëm emrin e tyre. Mendy u akuzua më 26 gusht për tri përdhunime, të dyshuara se kanë ndodhur në tetor 2020, dhe për sulmin seksual ndaj vajzës 17-vjeçare në fillim të janarit të këtij viti.

Data e gjykimit është caktuar për më 24 janar 2021. Mendy u pezullua nga Manchester City pasi u akuzua nga policia, në pritje të rezultateve të hetimit nga organet kompetente të drejtësisë angleze.


Shtuar 11.10.2021 17:58