Arlind Ajeti komentoi dy kundërshtarët e radhës të Kombëtares në Nations League dhe u shpreh se janë ndeshje të forta, por që Shqipëria do të synojë pikët maksimale. Mbrojtësi kuqezi foli për rrugëtimin në Kombëtare dhe eksperiencën e Europianit, si edhe komentoi mungesën e kapitenit Gjimshiti. Përsa i përket konkurrencës në mbrojtje, Ajeti tha se është shumë i lumtur për performancën pozitive të shokëve të ekipit dhe shtoi se për formacionin vendos vetëm trajneri Silvinjo.
Gjendja e ekipit dhe synimi në dy ndeshjet e tetorit? – Është akoma herët për të fol për ekipin, sepse ende nuk janë bashkuar të gjithë lojtarët. Kemi kualitet dhe mund t’ia dalim ndaj çdokujt, por nuk do të jetë e lehtë. Gjithashtu, i dimë cilësitë e Çekisë me të cilën kemi luajtur 2 herë kundër. Gjeorgjia dihet, ka një kualitet shumë të lartë dhe luajnë një futboll shumë të shpejtë dhe të shohim si do ia dalim, por kam shumë besim.
E keni analizuar Çekinë? – Nuk e kemi bërë ende analizën, pasi nuk kanë mbërritur akoma të gjithë lojtarët. Me stafin dhe trajnerët do përgatitemi sa më mirë, nuk do të jetë e lehtë me Çekinë pasi do të luajmë edhe në vendin e tyre, por kam besim që do t’i marrim tre pikët.
Superliga turke? – Më duket shumë mirë Superliga turke, por nuk krahasohet me Europianin apo ndeshjet e Kombëtares. Ndeshjet e Kombëtares janë gjithmonë të lidhur me emocione dhe në Europian janë akoma më të veçanta.
A mendon se mund të bëje diçka ndryshe në rrugëtimin tënd me ekipin Kombëtar? – Unë besoj që shumë herë nuk kam qenë pjesë e Kombëtares se kam pasur lëndime, apo zgjidhja e klubin nuk ka qenë e mire. Por, sa herë kam ardhur kam qenë i gatshëm për të luajtur me shpirt dhe zemër për fanellën. Gjithmonë mund të bësh më mirë, por jam i kënaqur deri këtu dhe shpresoj që të kemi akoma më shumë sukses.
Ndeshja me Çekinë është vendimtare? – Çdo ndeshje do të jetë vendimtare, edhe me Çekinë dhe me Gjeorgjinë. Të shohim ndeshjen e parë, të mundohemi të marrim një rezultat të mirë dhe më pas të vazhdojmë me Gjeorgjinë.
Sa e vëshitrë do të jetë për Kombëtaren mungesa e Gjimshitit? – Gjimshiti do të jetë mungesë e madhe për ne si lojtar dhe person, se ka fjalë të mira për të gjithë lojtarët dhe të rinjtë. Përsa i përket formacionit e di trajneri dhe të gjithë do të jemi gati. Nuk ka rëndësi kush luan, rëndësi ka vetem të fitojë Kombëtarja.
Sa i kanë shërbyer tre ndeshjet e Europianit Kombëtares? – Besoj që ndeshjet e Europianit japin një impakt të madh tek lojtarët dhe sjellin eksperiencë të madhe. Të gjithë lojtarët e ëndërrojnë të përjetojnë emocionet e një Europiani dhe kemi qenë me fat që kemi marrë pjesë në Europian. Kemi bërë paraqitje të mira dhe ndeshjet në Nations League janë më ndryshe. Shpresoj që eksperienca që kemi marrë në Europian do të na ndihmojë për këto dy ndeshje.
Çfarë duhet të bëjë Shqipëria për të fituar dy ndeshjet e radhës? – Cilësitë i kemi për të dalë si fitues, duhet të bëjmë maksimumin, të shtrytëzojmë cilësitë tona dhe të besojmë se janë dy ndeshje shumë të vështira. Unë kam shumë besim.
Mungon Gjimshiti, por mbrojtja po ecën mirë. Do ketë ngacmime mes teje, Ismajlit dhe Kumbullës? – Nuk do të ketë ngacmime se jemi shumë mirë mes njëri-tjetrit. Jam shumë i lumtur që të gjithë e kanë filluar sezonin mirë. Sa më mirë të paraqitemi me klubet tona do të jetë një konkurrencë e fortë në Kombëtare. Jam i lumtur për të gjithë lojtarët dhe që kanë performanca pozitive, por këtë e vendos trajneri.