Agjenti i Kessie qetëson tifozët “kuqezi”: Vetëm një grusht shteti e largon nga Milani

Vetëm një grusht shteti mund ta largojë Franck Kessie nga Milani. Kështu është shprehur menaxheri i mesfushorit nga Bregu i Fildishtë për mediat italiane, duke komentuar ecurinë e bisedimeve për rinovimin e kontratës.

Mesfushori është i lidhur me Milanin deri në verën e 2022-shit dhe përfiton një pagë prej 2.2 milionë eurosh në sezon, ndërsa drejtuesit e klubit kuqezi po punojnë për të shmangur një situatë të ngjashme me Donnarummën dhe Calhanoglu, që u larguan me parametra zero.

Maldini është takuar pak ditë më parë me menaxherin e Kessie dhe i ka ofruar rinovimin me një pagë prej 4 milionë eurosh në sezon, që mund të shkojë deri në 5 bashkë me bonuset, por ky propozim është hedhur poshtë.

Mesfushori nga Bregu i Fildishtë ka kërkuar 6 milionë euro, për të hedhur menjëherë firmën mbi kontratën e re, ndërsa aktualisht palët janë duke reflektuar, para se të ulen sërish në tavolinë dhe të diskutojnë për propozime të reja.

Futbollisti 24-vjeçar ka bërë një sezon të jashtëzakonshëm te Milani, duke luajtur 50 ndeshje dhe shënuar 14 gola, ndaj ka tërhequr edhe vëmendjen e klubeve të ndryshme europiane, kryesisht nga kampionati anglez.

Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit e Milanit duan të rinovojnë kontratën me të para se të nisë kampionati, pasi në të kundërt rrezikojnë të shkojnë drejt fundit të sezonit pa një marrëveshje të re dhe të humbin Kessie me parametra zero.


Shtuar 7.07.2021 09:33