Roman Abramoviç për momentin i ka shpëtuar sanksioneve nga qeveria britanike, pasi nuk figuron në listën e oligarkëve rusë të cilët janë dënuar për rolin e tyre në mbështetjen e Putin dhe luftës që Rusia ka nisur në Ukrainë.
Por mbretërimi i tij në drejtimin e Çelsit mund të mos jetë shumë i gjatë.
Në Londër kanë nisur të përhapen zëra për një shitje të mundshme të Çelsit, klubit që ai e bleu në vitin 2003 dhe tani është gati ta shesë për një shifër rekord. Sipas këtyre zërave, përllogaritet që tani klubi të nxirret në treg për të paktën 1,9 miliardë euro.
Agjencia amerikane “Bloomberg” shpjegon se në muajin e fundit është shfaqur interes real nga investitorë dhe fonde investimi për të marrë në pronësi klubin dhe nëse do të realizohet shitja, do të ishte në shifra rekord në futbollin europian.
Abramoviç mund të jetë nën trysni të shesë skuadrën edhe për faktin se tashmë është bërë çështje diskutimesh edhe në parlamentin britanik, ku është kërkuar që ai të mos jetë më pronar i londinezëve dhe t’i sekuestrohen pasuritë e pronat që ka në Angli.