“15 mijë të vdekur, bojkotoni Katar 2022”, mesazh i fortë nga tifozët gjermanë

Gjermania dominoi plotësisht Italinë të martën në mbrëmje në “Borussia-Park” në M’Gladbach. Ekipi i Flick shkatërroi 5-2 kampionët në fuqi të Europës në takimin e Grupit 3 të Ligës A në Nations League.

Tifozët gjermanë kishin mbushur plot stadiumin dhe shijuan në maksimum pesë golat e skuadrës së tyre të zemrës, teksa një pjesë e tyre protestoi në lidhje me të drejtat e mohuara të punëtorëve në Katar, vend që do të organizojë Botërorin.

Shumë emigrantë, kryesisht nga Bangladeshi, India apo Pakistani, kanë humbur jetën duke punuar për ndërtimin e stadiumeve. Pagesa modeste, kushte të vështira punë, asnjë e drejtë njerëzore dhe presion për të përfunduar sa më shpejt stadiumet.

Rreth 15 mijë persona kanë humbur jetën, teksa nuk kanë munguar protestat ndaj autoriteteve të Katarit. Tifozët gjermane kanë bërë thirrje për bojkotimin e Kupës së Botës Katar 2022, ndërkohë që kanë hapur një banderolë të madhe, aty ku lexohet:

“15.000 të vdekur për skenë e madhe, FIFA nuk ka ndërgjegje. Bojkotoni Katarin”.