Artisti i njohur shqiptar, Bujar Kapexhiu, ka folur për një moment të trishtueshëm në familjen e tij.
Komentet ai i bëri në programin “Dola te Ola”, ku foli për jetën e tij profesionale dhe familjare.
Gjatë bisedës Bujar Kapexhiu rrëfeu se në fillim ai nisi studimet për inxhinieri, si një dëshirë kjo e prindërve të tij, ndërkohë që donte aktrimin. Ndaj kur ai përfundoi vitin e parë, dha konkursin dhe u pranua për të vazhduar studimet për aktor.
Regjisori zbuloi se la studimet për inxhinieri dhe vazhdoi aktrimin, duke mos u treguar prindërve për 2 vite, “Ishte një moment i trishtueshëm për familjen, por më vonë u kënaqen se të gjithë shokët e mi që mbaruan për inxhinieri i dërguan në veri, ndërsa mua më mbajtën në Tiranë”.
Bujar Kapexhiu kujtoi momente shumë të bukura nga karriera e tij e gjatë dhe e suksesshme, duke filluar nga momenti kur filloi punë në Teatrin e Tiranës si regjisor përballë kolosëve të mëdhenj e duke vazhduar me pjesëmarrjen në Festivalin e 11 si prezantues apo edhe se si u bë pjesë e filmave shqiptarë jo vetëm si regjisor por edhe si aktor.
Bujari rrëfeu se pas Festivalit të 11 e dërguan për riedukim dhe fatmirësisht nuk hyri në burg. Ai tregoi se gjatë kohës që punonte si punëtor, ai nuk bënte asnjë aktivitet tjetër pasi e dinte që ndiqej, ndaj shmangte çdo dalje.
Regjisori dhe bashkëshortja e tij janë prindër të një vajze, e cila jeton në Qipro, dhe një djali, i cili jeton në Bruksel. “Jemi shumë të lumtur”, tha ai.