Xhaferaj: Rama, i pari kryeministër që nuk përmend integrimin

Kryetari i Partisë Demokratike, Dega Durrës, Ferdinand Xhaferaj deklaron se kryeministri Edi Rama është politikani i parë në historinë e pluralizmit shqiptar që në çelje të një fushate elektorale nuk përmend integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

Në një intervistë për Syri TV, Xhaferaj theksoi se integrimi në BE është ëndrra dhe objektivi i gjithë shqiptarëve, ndërkohë që në qeverisjen e tij Rama ka shënuar vetëm regres në këtë drejtim.

“Është rasti i parë në historinë e pluralizmit në Shqipëri që një lider i një partie politike, në një fjalë të rëndësishme siç është hapja e fushatës, në të gjithë fjalimin e tij nuk e ka përmendur asnjëherë fjalën integrim. Ëndrra dhe objektivi i shqiptarëve është integrimi në BE, dhe ky është rasti i parë në 30 vite që një kryeministër nuk i referohet fare integrimit“, deklaroi Xhaferaj.

Ai shtoi se nga ana tjetër lideri i opozitës, Lulzim Basha i është përmbajtur të gjitha rekomandimeve të aleatëve ndërkombëtar. Ferdinand Xhaferaj kandidon për deputet në Qarkun e Durrësit, i renditur i pesti në listën e koalicionit të udhëhequr nga PD. /albeu.com


Shtuar 27.03.2021 20:12