Inspektimin e parë në terren si Ministër i Financave Petrit Malaj e bëri në zonën e lirë doganore në Porto Romano, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Genti Gazheli.
Ministri kërkoi të mbahet në monitorim i gjithë zinxhiri furnizues i karburanteve, në kushtet kur kërkesa për konsum është shtuar edhe prej sezonit turistik.
“Do të kërkoja një vëmendje maksimale dhe angazhim maksimal nga të gjitha strukturat, pra Doganat, Tatimet, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, në zbatim të Planit të Masave që ne kemi ndërmarrë. Është shumë e rëndësishme ndërveprimi dhe sinergjia që krijoni midis të gjitha strukturave për të garantuar mbarëvajtjen e të gjithë procesit që jemi duke implementuar. Do të doja që të më mundësonit një raport ditor, të paktën në fazën e parë gjatë së cilës ne po implementojmë këto masa”, – u shpreh Ministri Malaj.
Importi dhe konsumi i karburanteve ka regjistruar shifra të larta këtë vit, pasi vetëm në 7 muaj janë konsumuar 381,083 tonë me rritje rreth 20 mijë tonë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
“Trendi pozitiv i rritjes së konsumit të karburanteve po vijon edhe në muajin gusht, pasi edhe 7 mujor u mbyll me rezultate shumë të mira, por gushti bën specifikën e veçantë për shkak edhe të rritjes eksponenciale të turizmit në këtë periudhë shumë të nxehte vere. Besoj që ne do ta mbyllim vitin me një sasi rekord prej 700 mijë tonësh konsumi të karburanti për vitin 2024”, u shpreh Gazheli.
Aktualisht Drejtoria e Doganave, e Tatimeve dhe Policia e Shtetit po monitorojnë zinxhirin furnizues të karburanteve, që nga importi, depozitat në zonën e lirë doganore, shitjes me shumicë dhe shitjen në pikat e furnizimit me pakicë. Po ashtu po punohet me kryqëzimin e të dhënave mes sistemeve doganore dhe atyre tatimore, në mënyrë që të shmanget evazioni fiskal.