Sulmi ndaj Top Channel me një viktimë, OSBE: Të kryehet hetim i shpejtë dhe i plotë, autorët para drejtësisë

Ngjarja kriminale në Top Channel, ku pas të shtënave me breshëri kallashnikovësh mbeti i vrarë roja Pal Kola, ka tronditur mbarë opinionin publik.

Në lidhje me ngjarjen ka reaguar dhe prezanca e OSBE në Shqipëri, duke e cilësuar ngjarjen sulm kriminal, ndërsa bën thirrje për hetime të shpejta dhe vendosjen e autorëve para drejtësisë.

“Dënojmë me forcë sulmin kriminal kundër Top Channel-it dhe shprehim tronditjen dhe ngushëllimet tona të ndjera për familjen dhe kolegët e punonjësit të sigurisë, z. Pal Kola, i cili humbi jetën në krye të detyrës, ndërsa ruante ndërtesën ku bëhet gazetari që i shërben informimit publik.

Një sulm i tillë flagrant kundër medias është sulm flagrant kundër demokracisë. Prezenca e OSBE-së u bashkohet thirrjeve të zyrtarëve më të lartë të shtetit për një hetim të shpejtë e të plotë të incidentit dhe pret që autorët dhe motivet e plota të këtij sulmi të identifikohen dhe të vihen para drejtësisë”, thuhet në reagim.


Shtuar 27.03.2023 11:54