Shqiptarja u zgjodh “Miss Michigan America 2022”: Po ju tregoj vështirësitë që kam kaluar (FOTO LAJM)

Shqiptarja që fitoi “Miss Michigan America 2022”, Marinela Shpati, ka rrëfyer për historitë e jetës së saj dhe peripecitë e kaluara.

Marinela ka qenë e ftuar nëpërmjet “Skype” në emisionin  “ABC e Mëngjesit” dhe ka treguar për jetën e saj.

Ajo e nis rrëfimin duke thënë se ka lindur në Lezhë, por ka jetuar vetëm 10 vjet në Shqipëri pasi i është dashur të emigrojë për në Greqi ku edhe aty qëndroi 10 vjet. Më pas Marinela tregoi se lëvizi për në Amerikë, në vendin ku ajo aktualisht jeton.

“Kam lindur në Lezhë dhe jam rritur në një fshat, në Troshan. Kam emigruar në Greqi. Kam jetuar 10 vjet në Shqipëri, 10 në Greqi dhe 10 në Amerikë, e quaj vitin e 10-ve këtë”,u shpreh ajo

Sakaq, Marinela ka zbuluar edhe emocionet e fitores së çmimit të parë, madje edhe mbështetjen e pakushtëzuar të bashkëshortit.

“E kam burrin e mirë, është nga Shkodra, kam 3 vjet e martuar. Atëherë nuk e kisha imagjinuar asnjëherë se ishim të varfër dhe kur erdhi kjo ditë ishte e pabesueshme.

Të gjithë femrat që konkurrojnë kanë një platformë dhe unë kam një për të ndihmuar njerëzit e varfër. Në mënyrë që ata kur të më shohin të thonë si ka mundësi që kjo ka arritur deri këtu se para 20 vitesh ishte e varfër.

Unë do të shkoj të konkurroj me 50 shtete të Amerikës në gusht dhe zhvillohet në Las Vegas.  Jam shumë e lumtur, dua t’i bëjë të gjithë të lumtur. Unë nuk i kam parë konkurrentet e tjera, dua të fokusohem vetëm te vetja ime. Dua ta shoh si një eksperiencë të bukur.

Në Greqi jeta ka qenë më e mirë se në Shqipëri, kam filluar punë që 14 vjeçe dhe paralelisht shkoja në shkolla. Punoja në një restorant, bëja gjithçka nga shitëse në pastruese, çdo gjë. Në moshën 20-vjeçare kam shkuar në Amerikë, kam ardhur me vetëm me një çantë me rroba. Kam punuar fort deri në 4 punë, derisa kam arritur deri këtu ku jam që punoj në bankë”, u shpreh ajo.