Shqipëria pritet të dërgojë një notë proteste për gjuhën e ministrit britanik i emigracionit Robert Jenrick, dhe për këtë arsye ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Alastair King-Smith është paraqitur sot në Ministrinë e Jashtme.
“Në përgjigje të interesimit të mediave, Drejtoria e Diplomacisë Publike dhe Diaspores në MEPJ bën me dije se Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Alastair King Smith i është dorëzuar sot paradite një Notë Verbale në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Përmes kësaj Note, MEPJ paraqiti shqetësimin për deklaratën më të fundit me gjuhë diskriminuese ndaj shqiptarëve nga ana e Ministrit të Shtetit për Imigrimin Robert Jenrick. MEPJ theksoi se kjo retorikë e përsëritur cenon frymën pozitive të bashkëpunimit bilateral të konfirmuar në Deklaratën e Përbashkët mes Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Edi Rama dhe Kryeministrit Britanik Rishi Sunak, në të cilën ndër të tjera ndahet vlerësimi i përbashkët për rolin e diasporës shqiptare në Britaninë e Madhe dhe kontributin e saj të rëndësishëm në kulturën, ekonominë dhe shoqërinë e të dy vendeve.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme kërkon shmangien e kësaj gjuhe urrejtjeje dhe diskriminimi dhe vijimin e dialogut edhe bashkëpunimit konstruktiv për të vënë në jetë angazhimet e ndërmarra së bashku si dy vende demokratike, partnere e aleate në organizmat ndërkombëtare.
Të vendet tona janë angazhuar përmes Deklaratës së Përbashkët që të nxisin më tej marrëdhëniet e bashkëpunimit në një game të gjerë fushash me fokus rininë, inovacionin, turizmin, arsimin dhe investimet strategjike të Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri.”, njofton ministria.
Por, çfarë ka thënë ministri britanik Robert Jenrick për shqiptarët?
Ne po punojmë gjatë gjithë kohës për të larguar emigrantët e paligjshëm shqiptarë dhe shkelësit e shteteve të huaja. Dje vizitova një qendër emigracioni për të parë fluturimet tona javore për në Shqipëri dhe për të falënderuar stafin për punën e tyre vendimtare për të zbatuar kufijtë tanë dhe për të na mbajtur të sigurt. Të gjejnë shqiptarët, t’i ndalojnë ata, t’i çojnë në aeroport dhe t’i kthejnë në Tiranë. Jo vetëm këta, emigrantët e paligjshëm, por edhe kriminelë të rrezikshëm që kanë qenë të dënuar për drogë.