“Rrjedhin nga veprimtaritë kriminale”, 34-vjeçarit në Cërrik i sekuestrohen pasuri me vlerë 1 milion euro

Policia e Elbasanit ka sekuestruar pasuri me vlerë 1 milionë euro të pronësi të 34-vjeçarit nga Cërriku, Eris Skënderi.

Sipas policisë, dyshohet se pasuritë janë përfituar nga aktiviteti kriminal i 34-vjeçarit, i cili rezulton i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve.

“Në kuadër të një procedimi për gjurmimin, lokalizimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Elbasan kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Aseti”, si rezultat i të cilit është ekzekutuar vendimi i datës 24.09.2023, i i Gjykatës së Elbasanit, e cila ka vendosur sekuestrimin e 5 pasurive të shtetasit Eris Skënderi, 34 vjeç, banues në Cërrik, i dënuar nga Gjykata e Elbasanit, me 6 vjet burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Çfarë u sekuestrua

Në zbatim të vendimit të Gjykatës, është bërë sekuestrimi i pasurive me vlerë rreth 1 milion euro, konkretisht:

-një objekt banimi me sipërfaqe 62 m2;

-një objekt shërbimi me sipërfaqe 73 m2 , në Cërrik;

-2 automjete dhe 1 motomjet.

Vijon puna për gjurmimin, lokalizimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera që kanë burim veprimtarinë kriminale të këtij shtetasi.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./Albeu.com