“Rama do ikë, do të shporret!” Meta i shkon te shtëpia liderit demokrat: Moj Serbi, murin ta prisha se më thonë Sali Berisha

Ilir Meta, tashmë presidenti i Partisë së Lirisë, i ka shkuar pranë shtëpisë Sali Berishës.

Nga foltorja, Meta tha se Sali Berisha është atje dhe nuk është këtu se doli kundër copëtimit të Kosovës dhe se si doli kundër shpopullimit të Shqipërisë.

Meta: Përshëndetje të gjithë demokratëve, të gjithë opozitarëve, të gjithë shqiptarëve. Moj Serbi, murin ta prisha se më thonë Sali Berisha. Po, Sali Berisha është atje dhe nuk është këtu se doli kundër copëtimit të Kosovës. Sali Berisha është atje dhe nuk është këtu se doli kundër shpopullimit të Shqipërisë. Sali Berisha është atje dhe nuk është këtu se nuk u bë pjesë e pazareve të ulëta për të shkatërruar pluralizmin politik.

Ata kujtojnë se kanë izoluar Sali Berishën, por ata e kanë ndihmuar Sali Berishën, i kanë dhënë një podium më të lartë, e kanë afruar me qiellin dhe me Zotin që t’u flasë shqiptarëve më kthjellët. Adenauer ka thënë të gjithë jetojmë në të njëjtin qiell, por nuk shohim të njëjtin horizont. Sali Berisha ka avantazhin që këta puçistët e Ramaformës e kanë ngjitur lart dhe shikon shumë më tepër se ne që jemi këtu poshtë. Janë të shumtë ata që thonë se pse nuk ka ardhur Ilir Meta këtu ku vijnë shqiptarët dhe patriotët.

Por presidenti duhej të vinte si president te presidenti i përgjithshëm, Sali Berisha. Keni pasur këtu çdo natë avokatin sulmues, jo mbrojtës, Genc Gjokutaj dhe shumë përfaqësues të tjerë të Partisë së Lirisë. Dua t’u them të gjithëve, politika është politikë, por atdheu është një dhe vetëm një. Besimet fetare janë të ndryshme, por udhëheqësit tanë fetare të të gjitha besimeve na kanë lënë një mësim: pa atdhe, nuk ka fe. Pa Shqipëri, nuk ka parti. Prandaj jemi sot këtu.

Skapi nuk guxon t’i përmendë emrin Edi Ramës që në dy orë kaloi 17 vendime qeverie për inceneratorët, ndërkohë që drejtori i prokurimeve i ka thënë se janë të paligjshme. Nuk po flas për PPP-të, nuk po flas për tenderat sekretë, nuk po flas për hatatë e tjera. Këta mburren se po luftojnë pandëshkueshmërinë, duke goditur Sali Berishën, të cilin mund të mos ketë shumë shqiptarë që nuk e pëlqejnë, por ka qenë simbol i integritetit njerëzor. Tani, kam këtu Petrit Vasilin, më larg është ndoshta Gramoz Ruçi që na dëgjon se çfarë i kam thënë Edi Ramës në vitin 2017 kur isha në koalicion dhe bënte çdo lojë që ta miratonte reformën në drejtësi pa PD.

I kam thënë: Edi Rama, mos e provoko më PD-në dhe opozitën. Edi Rama, është fatkeqësi e madhe për mua që u bënë 20 e ca vite duke bashkuar në politikë dhe pas 25 vitesh, politikani më serioz mbetet Sali Berisha. Pse? Sepse Shqipëria në 25 vite duhej të kishte nxjerrë politikanë më të mirë se Sali Berisha e Ilir Meta. Por çfarë t’i bëjmë? Nga zona nga vij unë, gjyshërit na mësonin se kur situatat janë të vështira, të themi se malet tona edhe më të larta. Përshëndetje presidenti i përgjithshëm!

Nuk dua të flas këtu se nuk dua ta teproj, por këtu kam ardhur me një burrneshë, me një themeluese të Lidhjes Demokratike të Kosovës, me një dëshmitare të momenteve më të vështira që ka kaluar Kosova, me Edita Tahirin, kështu që dua ta mbyll. Rama do ikë, do të shporret!


Shtuar 27.04.2024 20:57