“Qeveria mban qëndrim përçmues ndaj mjekëve”, Berisha thirrje të ngrihen në revoltë: Detyrohen të emigrojnë

Sali Berisha ka zhvilluar një tryezë diskutimi me mjekët, për të folur mbi problematikat me të cilat përballet sot sistemi shëndetësor. Sipas tij, sot vendi ynë përballet me faktin e dhimbshëm të emigrimit të të rinjve dhe të mjekëve.

Berisha: Nëse do pyeteshim të veçonim dy zhvillimet më të dhimbshme të këtij vendi, e para është ne rrisim fëmijë për emigracion, e dyta është ne përgatisim mjekë për emigracion. Ndërkohë që në këtë shërbim padiskutim të një rëndësie jetike për çdo shoqëri, largimi masiv i mjekëve përbën një dramë të vërtetë. unë do ndalem në shkakun e tyre. Pse kjo dramë e vërtetë në sistemin tonë? Sepse ndaj mjekëve nga kjo qeveri është mbajtur një qëndrim përçmues, mosvlerësues.  Ju jeni dëshmitarë sa kanë ndryshuar pagat tuaja në 9 vite. Cili është ndryshimi? Me borxhin që ka marrë kjo qeveri rrogat tuaja mund të ishin rritur edhe 4 herë dhe të infermierëve me radhë, por kjo nuk ka qenë agjendë e qeverisë.

Sipas ish-kryeministrit kushti i vetëm për të përmbysur qeverinë e kryeministrit Rama është bashkimi. Ai i bëri thirrje mjekëve që të angazhohen në një lëvizje të përbashkët.

Berisha: Kushti i të gjitha kushteve për të realizuar, për t’i dhënë një përgjigje problematikave të mëdha është angazhimi i bluzave të bardha në një lëvizje të fuqishme kundër kësaj qeverie. Në vitin ’90 ai revolucion që filloi me studentët kaloi në revolucionin e bluzave të bardha. Asgjë s’mund të realizojmë ne. Përkundrazi çdo gjë që ne mendojmë do mbetet në letër nëse nuk vendosim të bëjmë gjithçka kundër për rrëzimin e kësaj qeverie me mjete demokratike. Nuk duhet të kemi iluzione. Opozita do përmbushë misionin e saj vetëm kur qytetarët, mjekët, mësuesit dhe të gjithë profesionistët e tjerë të ngrihen për të zgjidhur një herë këtë problem.


Shtuar 14.06.2022 19:55