Deputeti i Partisë Socialiste në Bashkinë Divjakë, Erion Braçe ka reaguar nëpërmjet një postimi në rrjetin e tij social në Facebook lidhur me protestat e dhunshme të opozitës para bashkisë së Tiranës për dosjen “5D” me drejtorë dhe zyrtarë të korruptuar të bashkisë.
“Nje armë-siç molotovi, në dorë të kalamajve të papergjegjshëm, me urdhër te partise me kriminale ne vend, ben gjëmën”, shkruan Braçe ndër të tjera në Facebook, ndërsa thotë se herën tjetër nga këto akte të dhunshme mund të vriten njerëz.
Braçe bën thirrje që këto lloj protestash të ndalen, pasi po kthehen në protesta kriminale dhe rrezik për shqiptarë e të huaj që lëvizin në qendër të Shqipërisë.
“Ndaleni sa nuk kane vrare njeri”, është thirrja e Braçes.
Opozita dhe aleanca për mbrojtjen e Teatrit protestuan sot sërish për 90 minuta para bashkisë së Tiranës duke kërkuar largimin e Erion Veliajt.
Belind Këliçi i cili garoi përballë Veliaj një vit më parë dhe që ka denoncuar i pari dosjen e njohur me emrin 5D, deklaroi se opozita nuk tërhiqet nga beteja e saj duke e cilësuar godinën e bashkisë një skenë krimi.
Në shenjë revolte kundër Erion Veliajt opozita goditi me molotovë godinën e bashkisë së Tiranës, por ky aksion u shoqërua edhe me incidente.
Një prej shisheve me benzinë që protestuesit hodhën u pengua në degët e pemëve pranë bashkisë duke rënë pranë operatorëve e vetë protestuesve.