Aktori i njohur i humorit, Zef Deda, ka ndërruar jetë në moshën 73-vjeçare. Ai la pas dhimbje dhe lot te miqtë dhe të afërmit, por edhe te populli shqiptar, të cilin me humorin e tij e ka bërë për vetë.
Ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i qeverisë Edi Rama kanë shprehur ngushëllimet e tyre për ikjen e Dedës.
“LAMTUMIRË i dashur Zef”, shkruan Edi Rama.
Ndërsa Berisha, i cili po zhvillon konferencën e përjavshme me gazetarët ka mbajtur një minutë heshtje në shenjë zie.
“Sot është një ditë zie për artin, skenën, Shkodrën dhe artdashësit e mbarë Shqipërisë, mbasi dielli perëndoi përgjithmonë për artistin e mirënjohur, e talentuar, Zef Dedën.
Zef Deda ishte një artist që të gjithë dhuntinë e tij, ia kushtoi në çdo kohë të vërtetave të mëdha të artit dhe shoqërisë.
Ai ndahet nga jeta para kohe, pra, duke pasur mundësi për të kapur maja të tjera në skenë dhe art.
Por, mbetet i pavdekshëm me trashëgiminë e tij të shkëlqyer që lë.
Ndaj dhe unë shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve, komunitetit artistik dhe qytetarëve të Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë për këtë humbje të madhe” tha Berisha.
Edhe kreu i PL-së, Ilir Meta ka reaguar në lidhje me ndarjen nga jeta të aktorit të njohur shkodran, Zef Deda.
Përmes një mesazhi në ‘Facebook’, Meta thekson se kujtimi i Zef Dedës do të mbetet i përjetshëm në zemrat e të gjithë shqiptarëve.
“Një humbje e madhe për humorin dhe artin shqiptar ndarja nga jeta e aktorit shumë të dashur për publikun, Zef Deda. I shpreh ngushëllimet e mia të përzemërta familjes Deda. Kujtimi i Zef Dedës do të mbetet i përjetshëm në zemrat e të gjithë shqiptarëve”, shkruan Meta.
Kryetarja e Kuvendit thotë se kultura shqiptare humbi artistin e merituar.
“Sot kultura shqiptare humbi Artistin e Merituar, Mjeshtrin e Madh, humoristin e shquar, ndër më të mëdhenjtë e Shqipërisë, Zef Dedën. Për rreth gjysëm shekulli, personazhet që solli në skenën dhe komedinë shqiptare Zef Deda janë bërë pjesë e humorit dhe e jetës së shqiptarëve. Me krijimtarinë dhe rolet e tij Zefi është bërë një figurë emblematike dhe alter ego e personazheve të paharruar të humorit shqiptar.U prehsh në paqe, Zef!”-shkruan znj. Nikolla.