Po tani?! Adoleshenti nën spektrin e autizimit, e ëma: Larg mendësive tradicionale, pranë mjekëve

Fëmijët nën spektrin e autizmit, përtej luftës së përditshme, hasin edhe vështirësi të tjera; një mungesë të sigurisë për të ardhmen. Ky ishte dhe diskutimi i sotëm në ‘Abc e Pasdites’ me Ermal Peçi, ku në studio ishte arsimtarja Brunilda Shahu Kondakciu e cila na prezantoi me djalin e saj 15 vjeçar Greil. Greil, i diagnostikuar me autizëm në Gjermani në moshën 5 vjeçare është nxënës në një shkollë shtetërore në Tiranë në klasën e 9-të. Shumë shpejt ai do të nis gjimnazin, dhe sipas Brunildës situata e tyre ne këtë fazë do të ndërlikohet.

“Duke qenë e fushës unë i vëj re problematikat. Ai do të ketë nëvojë për një mësuese të trajnuar në këtë fushë që të jëtë në asistencë të plotë për gjashtë orë. Duke parë edhe situatën alarmante, besoj se instancat përkatëse duhet të reagojnë, të ketë më shumë mësues ndihmës të specializuar në këtë fushë.” – shprehu mësuesja e ciklit të mesëm duke shënjestruar mësimdhënien për fëmijët nën spektrin e autizmit.

Brunilda shprehu se shtatëzania e saj ka qenë normale por kuptoi shenjat kur Greil mbushi 1 vjeç. Sipas saj, fillimisht nuk dyshonin për diçka serioze si pasojë edhe e mendësive shqiptare të dëgjuara më parë. Gradualisht situata u bë serioze. Ajo tha se mjekësia në ato vite nuk ishte e zhvilluar dhe për pasojë e dërguan djalin në Gjermani për një diagnostikim më të saktë.

“Në 2006 nuk njihej për familjen tonë spektri i autizmit. Në moshën 5 vjeçarë vendosëm ta çojmë në Gjermani, aty ka marr diagnozën e plotë nën spektrin e autizmit. “

Tashmë prej 15 vitesh ky është realiteti në familjen Kondakçiu, ku të gjithë pjesëtarët janë bërë aktiv në përkujdesjen ndaj Greil. Por më tepër Brunilda falenderon prindërit e bashkëshortit, gjyshërit e Greil dhe shpreh se falë tyre rritja e djalit ka qenë e suksesshmë. Sipas saj, “ilaçi” mund të gjendet vetëm në ngrohtësinë në familje.

“Një mirënjohje shumë të veçantë për prindërit e bashkëshortit, iu jam shumë falenderuese për mbështetjen që kanë dhënë. Nuk kam parë gjyshër më të përkushtuar se ata. Kanë shumë nevojë për ngrohtësinë familjare.” – tha arsimtarja.


Shtuar 26.10.2021 18:32