Pas 11 vitesh në krye të Gardës së Republikës, dorëhiqet Gramos Sako

Komandanti i Përgjithshëm i gardës së Republikës së Shqipërisë, Gramos Sako, është dorëhequr nga detyra.

Mësohet se Sako i ka dorëzuar dorëheqjen ministrit të Brendshëm, Taulant Balla dhe ky i fundit ia ka pranuar. Teksa ka drejtuar prej gati 11 vitesh këtë strukturë, ende nuk dihen arsyet e dorëheqjes së tij, nëse ka vendosur të tërhiqet nga shërbimi apo bëhet fjalë për një ristrukturim të Gardës së Republikës.

Deri më tani ende nuk ka një emërim të ri, ndërsa emri i kreut të ri pritet me shumë interes.

Kush është Gramos Sako?

Gramos Sako është lindur në Tepelenë, më 19 Janar 1971. Që prej vitit 2013 ushtron detyrën në funksionin e Komandantit të Gardës së Republikës. Ai ka një eksperiencë të gjatë e të larmishme në fushën ushtarake. Pas diplomimit në Akademinë e Forcave Tokësore “Skënderbej”, në vitin 1993 titullohet oficer. Eksperiencën e tij të punës e nisi duke kryer detyrën e Komandantit të Togës në Gardën e Republikës së Shqipërisë, e duke vijuar më pas me kryerjen e detyrave në funksione si: Zëvendës Komandant Kompanie, Përgjegjës i Grupit të Ruajtjes së Ministrit të Rendit Publik dhe Përgjegjës në Grupin e shoqërimit të Kryetarit të Kuvendit, Shef Seksioni në Drejtorinë e Ruajtjes së Personaliteteve të Larta Shtetërore dhe Specialist në Drejtorinë e Kufijve dhe të Migracionit.

Më tej, prej vitit 2009 e në vijim, zhvilloi karrierën në sektorin privat si menaxher projektesh. Gjatë karrierës profesionale, Gramos Sako ka kryer një sërë kualifikimesh e trajnimesh me drejtim kryesisht në fushën e rendit dhe sigurisë publike. Zotëron diplomë si “Specialist i lartë Policie” të lëshuar nga Akademia e Policisë “Arben Zylyftari” dhe diplomë në degën “E drejtë Penale” në ciklin e studimeve master shkencor në Universitetin “Ismail Qemali”. Po ashtu, është çertifikuar në kursin e zhvilluar nga SHBA për “Operacionet e Mbrojtjes”, trajnimin e zhvilluar nga Instituti Europian i Menaxhimit të Ligjit dhe Diplomacisë me tematikë “Gjuha e trupit dhe arti i negocimit”, e të tjerë.

Gjatë ushtrimit të karrierës në fushën e sigurisë, Drejtori i Përgjithshëm i Gardës është vlerësuar në shumë raste për rezultate të arrira të punës por veçanërisht përmendet medalja e dhënë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, “Për shërbime ushtarake” me dekret nr.3861, datë 23.6.2006. Në 4.4.2016, me dekretin nr. 9502 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, merr gradën “Gjeneral Garde”. Me hyrjen në fuqi të ligjit 33/2021 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, Gramos Sako mban gradën “Drejtues Madhor”.

Lajm ne përditësim…


Shtuar 3.02.2024 14:55