Nis pelegrinazhi në malin e Tomorrit, mijëra bektashinj pjesëmarrës!

Zjarri që mbajti të ngërthyer për një javë Malin e Tomorit nuk do të pengë besimtarët bektashinj të kryejnë ritet fetare në pelegrinazhin e çdo viti që ata kryejnë të Teqenë e Kulmakut dhe pranë varrit të Abaz Aliut.

E simbolizuar festë, ajo ka nisur prej 18 gushtit dhe arrin kulmin në 20-21 gusht për t’u mbyllur në 25 gusht. Çdo pelegrin falet në këtë vend të shenjtë për shëndetin dhe paqen në familjen e tyre. Organizimi i pelegrinazhit bëhet nga Kryegjyshata Botërore dhe në një dalje publike kryegjyshi i bektashinjve Haxhi Dede Edmond Brahimaj tha se janë masat në shërbim të qytetarëve.

“Kryegjyshata ka marrë masat e duhura këto ditë. Ne gjithë këto kohë të zhvillimit të pelegrinazhit kemi siguruar rrugë automobilistike, kemi siguruar ujë dhe gjera sanitare për ti ardhur në ndihmë popullit. Janë marrë masa për të pritur ata në restorante dhe bare, për të bërë çdo gjë që ata të ndjejnë veten si në shtëpinë e tyre”, tha Haxhi Dede Edmond Brahimaj Kryegjyshi Botëror .

Kryegjyshi u bën thirrje besimtarëve të tregojnë kujdes të shtuar për masat në përhapjen e zjarrit, teksa ndizen qirinjtë dhe vatrat për të pjekur mishin tradicional.

“Kryegjyshata botërore ka marrë masa për t’i mbajtur gjallë këto ditë të gëzuara të Abaz Aliut. Lutemi të gjithë besimtarëve që të kenë kujdes me zjarret kur të ndezin qiri. Janë marrë masa edhe për pjekjen e mishit. Pra Kryegjyshata është në ndihmë të njerëzve. Kemi marrë masa që çdo gjë të shkojë me paqe dhe dashuri”, shton ai.

Në 5 ditë pelegrinazh në Malin e Tomorit ka edhe organizime me këngëtarë dhe shfaqje të ndryshme. Për të garantuar sigurinë publike, Policia e Beratit, e Kuçovës dhe Skraparit, kanë marrë disa masa. Shoferët që shkojnë drejt teqesë në malin e Tomorit për të shmangur trafikun duhet të ngjiten nga fshatrat Plirëza dhe Kapinov, ndërsa në zbritje nga Novaj dhe Pronovik. Mjetet e tonazhit të rëndë do ndalohet të qarkullojnë në rrugët që të çojnë drejt Malit të Tomorit  nga ora 06:00 – 24:00, gjatë gjithë ditëve të pelegrinazhit.


Shtuar 19.08.2024 14:25