Ngadalësohet rritja e të ardhurave buxhetore në mars, efekti nga tatimfitimi

Ritmet e rritjes së të ardhurave buxhetore u ngadalësuan në tremujorin e parë të vitit, si rrjedhojë e ecurisë së dobët të muajit mars. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave bënë të ditur se për 3-mujorin, buxheti arkëtoi gjithsej 163.8 miliardë lekë, me rritje 4.9% me bazë vjetore, nga 7.1% që ishte zgjerimi për 2-mujorin. Në muajin mars, të ardhurat u rritën me vetëm 0.9%, ndërkohë që inflacioni ishte 2.3%. Janari kishte nisur mbarë me një shtim të arkëtimesh prej 8.3%, në krahasim me janarin e një viti më parë, ndërsa në shkurt rritja ishte 6.2% me bazë vjetore.

Ndikimin në mars e ka dhënë ulja e ndihmave, por dhe rënia e të ardhurave nga tatim fitimi. Sipas të dhënave nga financat, të ardhurat nga tatim fitimi ranë me 13.7% për 3-mujorin, ndërkohë që në dy muajt e parë të vitit ky zë kishte qenë me rritje. Kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore (+5.5 miliardë lekë), TVSH (+4.6 miliardë lekë), tatimi mbi të ardhurat personale (+2 miliardë lekë) vijojnë të mbajnë peshën kryesore në rritjen e të ardhurave buxhetore. Për 3-mujorin, edhe doganat i janë kthyer tendencës pozitive (+2.2 miliardë lekë), ndryshe nga viti i kaluar kur u ndikuan nga rënia e çmimeve të produkteve të importuara.

Ministria e Financave bëri të ditur se shpenzimet e përgjithshme publike për periudhën 3-mujore të vitit 2024, arritën në rreth 130.4 miliardë lekë, me një realizim në masën 96% të planit të së njëjtës periudhë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, shpenzimet e përgjithshme publike rezultojnë 4.1% më të larta, ose 5.1 miliardë lekë më shumë.

Niveli i suficitit në periudhën 3-mujore të vitit 2024 rezultoi në rreth 33.3 miliardë lekë.

Performanca Paraprake e të Ardhurave dhe Shpenzimeve për 3-mujorin 2024

Të ardhurat totale, për periudhën 3-mujore arritën në rreth 163.8 miliardë lekë ose 105.1% e planit të së njëjtës periudhë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, u mblodhën 7.64 miliardë lekë më shumë, ose 4.9% më shumë se tre-mujori i vitit 2023. Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe Kontributet e mbledhura nga DPT) arritën në 149.4 miliardë lekë, 12.6 miliardë ose 9.2% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, si dhe 1.4 miliardë ose 0.9% më shumë se plani 3-mujor për vitin 2024.

Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) arritën në 50 miliardë lekë, 2.2 miliardë lekë ose 4.7% më shumë se 3 mujori 2023, si dhe 423 milionë lekë ose 0.8% më pak se plani i të ardhurave doganore për 3-mujorin e vitit 2024.

Të ardhurat nga TVSH në import për 3-mujorin rezultojnë 34.3 miliardë lekë, 1.3 miliardë lekë ose 4% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, si dhe 735 milionë ose 2.1% më pak se plani për 3 mujorin 2024.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 13.1 miliardë lekë, 1 miliardë lekë ose 8.3% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2023, si dhe 329 milionë lekë ose 2.6% më shumë se plani i akcizës për 3 mujorin 2024.

Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 722 milionë lekë, 105 milionë ose 12.7% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe realizim në masën 91.7% kundrejt planit për 3-mujorin 2024.

Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 2 miliardë lekë, 10 milionë lekë ose 0.5% më shumë se 3 mujori 2023, si dhe realizim në masën 102.5% kundrejt planit.

Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 3 mujorin 2024 arritën në 99.4 miliardë lekë, 10.4 miliardë ose 11.7% më shumë se 3 mujori i vitit të kaluar, si dhe 1.8 miliardë lekë, ose 1.9% më shumë se plani i 3 mujorit 2024.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizua në masën 17.5 miliardë lekë, 4.6 miliardë ose 35.3% më shumë se 3 mujori 2023, si dhe 447 milionë ose 2.6% më shumë se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 3 mujorin 2024. Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 18.7 miliardë lekë, 3 miliardë lekë, ose 13.7% më pak se 3 mujori 2023, si dhe 363 milionë lekë ose 2% më shumë se plani i 3 mujorit të vitit 2024.

Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 15.3 miliardë lekë, 2 miliardë lekë ose 15.5% më shumë se 3 mujori 2023, si dhe 131 milionë ose 0.9% më shumë se plani i 3 mujorit 2024.

Taksat nacionale për periudhën 3 mujore 2024 arritën në 10.3 miliardë lekë, 1.2 miliardë lekë ose 13.2% më shumë se 3 mujori 2023, si dhe 11 milionë lekë ose 0.1% më shumë se plani për 3 mujorin 2024.

Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 37.6 miliardë lekë, 5.5 miliardë lekë ose 17.2% më shumë se 3 mujori 2023, si dhe realizim 102.4% të planit për 3 mujorin 2024.

Shpenzimet e përgjithshme publike për periudhën 3 mujore të vitit 2024, arritën në rreth 130.4 miliardë lekë me një realizim në masën 96 për qind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023 ky zë ka rezultuar 4.1 për qind më i lartë ose rreth 5.1 miliardë lekë më shumë. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 3 mujorin e vitit 2024 u realizuan në masën 17.7 për qind të planit vjetor sipas buxhetit fillestar dhe 17.5 për qind të planit vjetor sipas Aktit Normativ nr. 1 datë 21.02.2024 (AN nr.1).

Shpenzimet korente për periudhën 3 mujore të vitit 2024 rezultuan në rreth 125.5 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 11.6 për qind më i lartë ose rreth 13 miliardë lekë më shumë.

Niveli i suficitit në periudhën 3 mujore të vitit 2024 rezultoi në rreth 33.4 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë niveli i suficitit ka rezultuar 8.1 për qind më i lartë ose rreth 2.5 miliardë lekë më shumë./ Monitor


Shtuar 23.04.2024 18:32