Ndahet nga jeta Vera Zheji, presidenti: Do të kujtohet si “zonja e madhe” e mikrofonit dhe skenës

Është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare Vera Zheji, zëri, simbol i Radio Tiranës. Lajmi i hidhur është bërë i ditur nga familjarët e saj një ditë më parë.

“Sot në mëngjes, nëna ime Vera Zheji, u largua nga kjo botë. Kaloi pak jave të rënda, po iku qetësisht nga shtëpia e familja e saj sot në të gdhira. Në emrin e saj falënderoj gjithë miqtë e shumtë e dashamirësit që e kanë ndjekur, përkrahur e respektuar nëpër vite, të cilët ajo deri në fund i kujtonte me dashuri e mirënjohje. Kjo është jeta! Zoti na ndihmoftë të gjithëve ta mbyllim mirë kohën që na mbetet në këtë botë”, shkruan vajza e saj në Facebook.
Për ndarjen e saj nga jeta ka shprehur mesazh ngushëllimi edhe presidenti Bajram Begaj. Në një postim në Facebook, kreu i shtetit shprehet se Vera Zheji do të kujtohet me nderim si “zonja e madhe” e mikrofonit dhe skenës.

“Sot u nda nga jeta Vera Zheji, zëri ikonik i Radio Tiranës. Një grua që pothuajse është e vështirë që të ketë të ngjashme në cilësinë e gazetares, spikeres dhe gruas me mendje të lirë. Spikere, gazetare, aktore dhe pedagoge e Fjalës Artistike në Institutin e Lartë të Arteve, Vera Zheji do të kujtohet me nderim si “zonja e madhe” e mikrofonit dhe skenës”, shkruan Begaj.

Ajo lindi më 30 Janar 1933 në Tiranë. Kur ishte vetëm 15-vjeç, në vitin 1948, Vera Zheji u bë një zë popullor kur nisi të lexonte emisione letrare përpara mikrofonit të Radio Tiranës. Ajo krijoi emisione të ndryshme e mjaft të ndjekura në radio, si Bota e përrallave, Universiteti popullor i radios, Enciklopedia e radios e disa të tjera, të cilët u identifikuan me mënyrën e saj unikale të të lexuarit e të folurit.

Vera Zheji tregoi edhe talentin e saj në aktrim, kur mori pjesë në komedinë “Shi në plazh” e pjesë të tjera teatrore.

Në vitin 1975, Vera Zheji la përfundimisht Radion dhe u emërua pedagoge e Fjalës Artistike në degën e teatrit, në Institutin e Lartë të Arteve, deri në vitin 1988 kur doli në pension.


Shtuar 18.08.2024 10:55