Gjobitet dhe vihet nën hetim pronari i një lokali në Tiranë pasi ka vijuar aktivitetin pas orarit të përcaktuar për mbyllje. Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit, u konstatuan duke punuar 2 minorenë, pa kontrata punësimi.
Pronari i lokalit banues në Bathore është vënë nën hetim si dhe i është vendosur gjobë 1.000.000 lekë, për shkelje të orarit të përcaktuar në aktin normativ, për zhvillimin e aktiviteteve.
Tiranë
U konstatua duke ushtruar aktivitetin me muzikë pas orarit të përcaktuar, procedohet penalisht dhe ndëshkohet me masë administrative, administratori i lokalit.
Vijojnë kontrollet për zbatimin e planit të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike dhe monitorimin e lokaleve që vijojnë organizimet me muzikë pas orarit të përcaktuar për mbyllje, në kundërshtim me masat anticovid të vendosura nga organet kompetente.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të kontrolleve, kanë proceduar penalisht shtetasin Sh. S., 47 vjeç, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Punësimi i paligjshëm”, banues në Bathore, pasi u konstatua duke vijuar organizmin e aktivitetit me muzikë në lokalin që administron, pas orarit të përcaktuar për mbyllje, dhe gjatë konstatimit ka kundërshtuar punonjësit e Policisë për ushtrimin e detyrës. Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit të këtij shtetasi, u konstatuan duke punuar 2 minorenë, pa kontrata punësimi.
Gjithashtu, për këtë subjekt është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë, për shkelje të orarit të përcaktuar në aktin normativ, për zhvillimin e aktiviteteve.
Në vijim të veprimeve, morën masë administrative për shkeljen e aktit normativ dhe u proceduan penalisht për veprën penale “Prishja e qetësisë publike” 8 shtetas, pasi në kundërshtim me orarin e përcaktuar, u konstatuan në këtë subjekt duke krijuar zhurma shqetësuese për banorët.
Policia e Shtetit sqaron të gjithë qytetarët që ora policore është në fuqi pas datës 01 Janar dhe Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon për të gjithë administratorët e lokaleve që të respektojnë masat anticovid dhe orarin e përcaktuar për ushtrimin e aktivitetit.