Me sytë nga dera, nëna e të zhdukurit në Sarandë kërkon ndihmë nga shteti: Të ma gjejnë Leonardin tim

Dy persona me precedentë të rëndë penalë janë janë zhdukur në Sarandë. E ndërsa policia e njoftoi ngjarjen vetëm një ditë më parë, sot (13 prill) bëhen një javë nga dita kur 76-vjeçarja Evanthia Thodhori apo Ballkua siç e njohin të gjithë, ka parë për herë të fundit djalin e saj, Leonardin, i njohur edhe si Koçole.

Personat e zhdukur rezultojnë të jenë eonard Thodhori, 46 vjeç, banues në fshatin Çuke, Sarandë dhe Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, 46 vjeç, banues në Sarandë.

Në banesën modeste në fshatin Çukë të Sarandës ka pllakosur heshtja dhe sytë janë nga dera e nga telefoni.

Edhe pse shumë e dërrmuar dhe në çdo moment duke lotuar, Ballkua pranoi të fliste për zhdukjen e të birit.

Ballko, kur e ke parë për herë te fundit djalin tënd?

Për herë te fundit e kam takuar djalin të enjten e 6 prillit. Më çoi tek motra ime e më pas iku me një shok për të marr ushqim. Mesa mora vesh kishte shkuar tek një lokal rrugës për Ksamil dhe ishte kthyer. Këtë e mësova pasi pyeta kur nuk po e gjeja. Prej asaj nate nuk e kam parë më.

Si e konstatuat zhdukjen e djalit?

Të premten, në hyrje të Çukës kam vënë re makinën që përdorte djali të parkuar keq dhe çuditshëm buzë rrugës. Më bëri habi ai lloj parkimi. Kam pyetur dhe kam kërkuar për djalin por nuk e gjeta dhe askush nuk dinte gjë. Edhe banorë të fshatit më thanë që ishte e çuditshme si ishte lënë ashtu makina. Makina ishte e marrë me qira, nuk ishte e tij. Kur erdhi pronari i kompanisë për ta marrë, mezi u hap.

U gjet gjë në makinë?

Në makinë në pamje të jashtme nuk kishte gjë, ndërsa në kroskot më vonë u gjet patenta, karikuesi dhe ilaçet qe përdorte djali. Kjo më bën te dyshoj më shumë, sepse ai pa ilaçe nuk ikte kurrë.

Në të njëjtën ditë me djalin tuaj rezulton i zhdukur edhe Fatmir Sulovari, e njihni?

Po, është nga Fieri. Është shok me djalin. Ka pasur një lokal në Ksamil mesa di. Jam takuar me njerëzit e tij, më thanë që është zhdukur edhe ai.

Çfarë marrëdhënie kishte Leonardi me Fatmirin?

Shokë ishin. Vinte edhe tek shtëpia jonë ai. Ka sjellë edhe pantallona e bluzë që t’ia laja unë.

Keni kontaktuar me policinë dhe çfarë apeli keni?

Kam kontaktuar dhe më kanë thënë që është e vështirë për ta gjetur djalin. Unë kërkoj ndihmën e shtetit, të gjitha instancat të ngrihen në këmbë për Leonardin tim.

HETIMET

Leonard Thodhori i njohur si “Koçole” dhe Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, janë dy personazhe të njohur për policinë në Sarandë. Ata rezultojnë të dy me precedentë të shumëfishtë penalë, të proceduar dhe dënuar disa herë për vepra te ndryshme penale. Policia ka fokusuar hetimet tek këqyrja e kamerave të sigurisë, tabulatet telefonike të dy të zhdukurve ndërkohë që dje janë marrë në pyetje edhe familjarë e shokë te dy 46-vjeçarëve. Burime konfidenciale bëjnë me dije se ka informacione në rrugë operative edhe për veprimtarinë e të zhdukurve, ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia të ndodhemi edhe para një ngjarje të rëndë kriminale.

Kush janë të zhdukurit:

1.Leonard Theodhori, 46 vjec i njohur si “Koçole”. I dënuar disa here. I dyshuar si pjesëmarrës në Masakrën e Qafë-Gjashtës në vitin 1997 ku u vra oficeri i policisë Gjergj Mehmeti.

Në vitin 2003 ka qenë prezent ne automjetin që drejtohej nga Andrea Gjini para se ky i fundit të vriste biznesmenin Jaho Bajo. I arrestuar po atë vit për “moskallezim krimi” lidhur me një ngjarje tjetër të kryer nga Gjini. I arrestuar më pas per “vjedhje” e “mashtrim”. Përdorues i lëndëve narkotike dhe i dyshuar si i perfshirë në trafik lëndësh narkotike.

2.Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, 46 vjec. I dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje” dhe “plagosja e lehtë me dashje”. I arrestuar ne prill 2022 ne Lushnje, pasi ne mjetin e tij “BMW” X5 u gjet nje sasi cannabis sativa e ndarë në doza gati për shitje./albeu.com/