“Mbledhje e përbashkët e dy qeverive në qershor”/ Rama zbardh takimin me Kurtin në Tiranë

Foto ilustruese

Pas takimit me presidentin Bajram Begaj dhe kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, takoi sot  homologun Edi Rama.

Marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër ishte fokusi i diskutimit.

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale ka treguar se në drekën me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, ka diskutuar për marrëveshjen e Ohrit dhe ecurinë e mëtejshme të procesit të zbatimit të saj.

Rama shkruan se mbështet Kurtin në hapat që do të marrë për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, ndërsa njofton se në muajin qershor do të ketë sërish një mbledhje të përbashkët të dy qeverive.

“I shpreha Albinit të gjithë simpatinë time për kurajon dhe realizmin me të cilin ka hedhur hapa me rëndësi të madhe drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E inkurajova kryeministrin në hedhjen e hapave të mëtejshëm, qoftë për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë, duke e siguruar se në këtë proces jo të lehtë ai ka mbështetjen time më të plotë”, shkruan Rama.

Gjithashtu Kurti do të takohet edhe me kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Në një prononcim të shkurtër, Kurti tha se do të flasë për mediat pasi të përfundojë takimet e planifikuara./albeu.com/ 


Shtuar 26.03.2023 14:35

Tags: ,