Edhe pse Rusia ka deklaruar se ka tërhequr një pjesë të trupave, Perëndimi dhe SHBA vazhdon të jetë skeptike. Presidenti amerikan Joe Biden në një deklaratë ka thënë se sulmi rus në Ukrainë mund të ndodhë dhe kostoja njerëzore do të ishte e madhe.
Në komentet e transmetuara në televizion kombëtar, ai tha se SHBA ishte gati t’i përgjigjej me vendosmëri një lëvizjeje të tillë.
Biden tha se Rusia tani ka grumbulluar rreth 150,000 trupa në kufirin me Ukrainën, dhe sa i takon tërheqjes së trupave ai tha se kjo nuk ishte verifikuar, informon albeu.com
“Largimi i forcave ruse do të ishte një gjë e mirë, por ne nuk e kemi verifikuar ende këtë. Nuk kemi verifikuar ende se njësitë ushtarake ruse po kthehen në bazat e tyre vendase” tha presidenti i SHBA.
Të martën, Ukraina tha se faqet e internetit të Ministrisë së saj të Mbrojtjes dhe dy bankave u vunë nën një sulm kibernetik. Shkaku nuk është i qartë, por Ukraina ka pësuar sulme në shkallë të gjerë më parë në infrastrukturën e saj online dhe ka drejtuar gishtin nga Rusia.
Prej kohësh ekziston shqetësimi se, në vend të një pushtimi në shkallë të plotë, Rusia mund të përdorë mjete më pak të dukshme për të destabilizuar Ukrainën, për shembull përmes sulmeve kibernetike në infrastrukturën kritike. Presidenti Biden tha të martën se Shtetet e Bashkuara ishin të përgatitura për t’iu përgjigjur çdo lëvizjeje të tillë.
Fjalimi i Biden erdhi disa orë pasi presidenti rus Vladimir Putin tha se shqetësimet e Moskës për sigurinë duhet të trajtohen dhe të merren seriozisht.
Putin gjithmonë ka mohuar planifikimin e një inkursioni dhe tha se Rusia nuk dëshiron një luftë tjetër në Evropë. Megjithatë, tensionet janë rritur që nga nëntori.
Pas raportimeve të mëparshme se inteligjenca amerikane besonte se Rusia mund të sulmonte Ukrainën të mërkurën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e shpalli atë si një ditë uniteti, duke u bërë thirrje qytetarëve të valëvisin flamurin e vendit dhe të veshin shirita blu dhe të verdhë, ngjyrat kombëtare të Ukrainës./albeu.com