Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim dy persona për shit-blerje votash në zgjedhjet parlamentare të 2021.
Bëhet fjalë për Kristo Çollakun dhe Gjergji Butkën.
Sipas njoftimit, Kristo Çollaku i ka ofruar një shumë monetare Gjergji Butës. Ky i fundit ka pranuar lekët me qëllim për të votuar një kandidat për deputet në Qarkun e Korçës në zgjedhjet Parlamentare të 25 prillit 2021.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka përfunduar hetimet dhe ka kërkuar dërgimin për gjykim të procedimit penal nr. 154 të vitit 2023, në ngarkim të të pandehurit Kristo Çollaku, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” parashikuar nga neni 328 i K. Penal dhe të pandehurit Gjergji Butka, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv në zgjedhje” parashikuar nga neni 328/b i K. Penal
Ky procedim penal është regjistruar më datë 10.07.2023, pas shpalljes së moskompetencës lëndore dhe dërgimit të akteve nga ana e Prokurorisë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshmë, Elbasan.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar e provuar që i pandehuri Kristo Çollaku, i ka ofruar të pandehurit Gjergji Butka një shumë monetare e cila është pranuar nga ky i fundit me qëllim për të votuar një kandidat për deputet në Qarkun e Korçës në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 25 Prill 2021./Albeu.com