Korçë/ Dhunohet një adoleshent me sende të forta, policia në kërkim të 5 autorëve

Një 18 vjeçar është rrahur nga disa persona në Korçë. Sipas policisë ngjarja ka ndodhur në lagjen 17 në afërsi të rrethrrotullimit të Voskopojës.

Mësohet se autorët pasi e kanë rrahur 18 vjeçarin(dyshohet me mjete të forta)janë larguar nga vendi i ngjarjes. Ende nuk dihet se si ka nisur konflikti ndërkohë 18 vjeçari po merr mjekim në spitalin e Korçës.

Policia po punon për zbardhjen e ngjarjes si dhe vënien përpara përgjegjësisë autorët.

‘Më datë 19.06.2024, rreth orës 14:30, në lagjen nr. 17, Korçë, shtetasit S. S., 33 vjeç, S. S., 25 vjeç, Dh. D., 38 vjeç, A. D., 27 vjeç dhe M. B., 39 vjeç, banues në Korçë, të cilët lëviznin me automjetin tip “Range Rover”, dyshohet se kanë përplasur automjetin me drejtues shtetasin M. J., 18 vjeç dhe më pas janë konfliktuar fizikisht me të.

Gjatë konfliktit, pesë shtetasit e lartpërmendur dyshohet se e kanë goditur me sende të forta 18-vjeçarin, duke i shkaktuar dëmtime trupore.

Po nga deklarimet e 18-vjeçarit dyshohet se një prej autorëve ka patur një send, në dukje si armë zjarri.

Vijon puna për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve të dyshuar të ngjarjes.

Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin me prova ligjore të kësaj ngjarjeje.’, thuhet në njoftimin e policisë.

 


Shtuar 19.06.2024 18:49