Kombëtarja zhvillon stërvitjen e parë në Pragë

Shqipëria mbërriti këtë të dielë në Pragë, ku zhvilloi dhe stërvitjen e parë në prag të ndeshjes miqësore me Republikën Çeke. Trajneri Reja e kishte ndarë grupin në dy pjesë, ku pjesa e futbollistëve që u aktivizuan titullarë, patën një ngarkesë më të vogël fizike sesa lojtarët që hynë nga stoli apo ata që nuk morën minuta në miqësoren me Uellsin. I pranishëm në stërvitjen e kombëtares, ishte dhe presidenti i FSHF, Armand Duka që u pa teksa bashkëbisedonte me trajnerin italian Edi Reja, teksa ishte i shoqëruar dhe nga zv.presidenti Lutfi Nuri.

Entuziazmi pas barazimit me Uellsin shfaqej dhe në ekip pavarësisht se ishte vetëm një miqësore, me kuqezinjtë që u përpoqën të argëtoheshin duke punuar në seancën e përgatitur nga Edi Reja. Duke qenë se ndeshjet janë në një distancë 3 ditore nga njëra tjetra, Reja nuk e ngarkoi fizikisht grupin duke u ndërtuar më tepër si një seancë shlodhëse për muskujt ndërsa punoi paksa dhe me mënyrën se si do të luhet ndaj Republikës Çeke. Këtë të hënë kuqezinjtë do të zhvillojnë dhe stërvitjen e fundit në Pragë dhe do të mbajnë dhe konferencën zyrtare për shtyp përpara kësaj sfide.

Shtuar 6.06.2021 07:06