Kërkesë zyrtare drejtuesit të SPAK/ Këlliçi: Prokurori Prençi nuk po heton për inceneratorin fantazmë të Tiranës, u vodhi qytetarëve 120 milionë euro

Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, thotë se i ka dërguar një kërkesë drejtuesit të SPAK, Altin Dumani në lidhje me hetimin e inceneratorit fantazmë të Tiranës.

Sipas tij, deri më tani janë grabitur 120 milionë euro për një incenerator që nuk ekziston dhe këto para të taksapaguesve shqiptarë janë transferuar në llogari offshore.

Reagimi i plotë:

Jam sot përpara jush për të bërë publike një kërkesë zyrtare të cilën sot do ia përcjell drejtuesit të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Altin Dumani. Kjo kërkesë vjen si pasoje e mos reagimit nga ana e prokurorit Dritan Prençi, i cili ka nën hetim çështjen më të rëndësishme të këtyre tre dekadave, atë të Inceneratorit fantazmë të Tiranës.

Deri më sot, kemi faktuar me prova dhe fakte përtej dyshimit të arsyeshëm, se Erion Veliaj është zyrtari kryesor i cili me veprimet dhe mos veprimet e tij, ka ideuar, miratuar dhe implementuar këtë mega aferë korruptive. Këto prova gjenden pikërisht në hetimin që ka kryer vete drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, në dosjen hetimore ndaj ish zv. Kryeministrit, Arben Ahmetaj.

Këto prova gjenden në raportin e KLSH, i cili është administruar nga prokurori Prençi. Në kërkesën time, i drejtohem z. Dumani, që të mbaje të njëjtin standard, tashmë të bërë publik prej tij në takimin informal me gazetarët në fund të dhjetorit të kaluar, ku është shprehur për hetimin e koncensionit të sterilizimit dhe implikimin e ish-ministrit Ilir Beqja. Citojmë:

“Jemi prokurorë, por s’do të thotë të mendojmë dhe arsyetojmë të gjithë njësoj. Kam ndërhyrë me udhëzim detyrues që në muajin maj, kur nuk ishin dhënë masat e para. Kam shprehur qëndrimin tim në raport me çështjen dhe rolin e ish-ministrit. Prokurorët e çështjes në vijim kanë marrë pjesërisht në konsideratë qëndrimet e mia, por edhe të gjyqtarit Bani”.


Shtuar 20.01.2024 15:27