Kërcënoi Ramën dhe të birin, dënohet me burg 62-vjeçari

Një qytetar, i cili akuzohet se kërcënoi kryeministrin Edi Rama u gjet fajtor nga gjykata e Tiranës.

Ivzi Hoxha, 62 vjeç u dënua me një vit burgim për veprën e kanosjes për shkak të detyrës. Gjyqtari i çështjes Kujtim Vranici deklaroi se për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi ndaj Hoxhës ulet me një të tretën dhe në përfundim, i dyshuari duhet të vuajë tetë muaj heqje lirie. “Kërkoj mëshirë nga gjykata”, tha i pandehuri dhe ndihem i penduar.

Por prokurori i çështjes theksoi se në fillim të këtij viti, i dyshuari gjatë një transmetimi direkt në televizionin “Ora News” kërcënoi publikisht kryeministrin dhe të birin. Menjëherë pas kësaj, Hoxha u shoqërua në komisariat ku dhe u arrestua.

Ai tha se ishte i stresuar për konfliktet e pronësisë me Bashkinë që do të investonte pallate në tokën e tij për të dëmtuarit nga tërmeti. Por, prokuroria e Tiranës këmbëngul se kanosja e kryeministrit ishte reale jo vetëm nga përmbajtja e fjalive, por nga urrejtja e shfaqur në këtë transmetim.

Si rast analog, prokuroria ka sjellë rastin e kryeministres së Italisë Georgia Meloni, e cila u kërcënua përmes Twitter dhe për këtë autoritetet arrestuan autorin.

Kujtojmë se gjatë transmetimit live, Ivzi Hoxha është shprehur me fjalë kërcënuese ndaj djalit, duke shprehur revoltë për shkak të prishjes së banesës së tij në zonën e 5 Majit, për shkak të projektit të ndërtimit të banesave sociale. /tch


Shtuar 30.05.2023 23:57