Jetonte me qera e punonte bojaxhi, detaji që nxorri zbuluar autorin e vrasjes së Behar Sofisë

Ditën e sotme është zbardhur e plotë vrasja e Behar Sofisë në Tiranë vetëm pak ditë më parë. Policia ka vënë në pranga 4 shtetas të akuzuar si vrasës me pagesë që organizuan dhe realizuan vrasjen e Behar Sofisë.

Autori, 23-vjeçari Ernejt Shyti ka deklaruar në Prokurori se i ishin premtuar 50 mijë euro shpërblim pasi të kryente ekzekutimin e Behar Sofisë, por sipas tij, këto para ende nuk i ka marrë.

I riu, për të cilin organi i akuzës thotë se ka prova të forta që është ai autori i ekzekutimit të Behar Sofisë, jetonte me qira me nënën e tij në kryeqytet, pranë rrugës “Bardhyl”.

Mësohet se ai është identifikuar përmes profilit të ADN-së, kryer nga gjurmët e lëna në rrobat që braktisi pas ngjarjes.

I akuzuari ka shpjeguar ndër të tjera edhe se pas krimit, është larguar në drejtim të Liqenit Artificial të Tiranës, me biçikletë.

Rrëfimi i tij sipas prokurorisë, përputhet plotësisht edhe me pamjet e kamerave të sigurisë dhe provat e grumbulluara pas ngjarjes.

Autori mësohet se punonte si bojaxhi në Mal të Zi, ku edhe u arrestua mbrëmjen e të premtes, 12 mars. Më parë, ai nuk kishte rekorde kriminale, por vëllai i tij binjak rezulton me precedentë penalë.

Në një kohë që në pranga kanë rënë 4 shtetas për këtë ekzekutim, ende prokuroria nuk ka mundur të shkojë tek emrat e urdhëruesve të vrasjes.

 

 

 


Shtuar 13.03.2021 10:57