Deputeti demokrat Ervin Salianji, në fjalën e tij në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, ka folur për investimet që pritet të bëhen në Sazan.
Salianji theksoi se dy vite më parë e ka pyetur ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi nëse do të kishte investime në Sazan dhe ai ia ka mohuar diçka të tillë. Salianji shtron pyetjen se a ka lidhje McGonigal me kompaninë që kryen investime në ishullin e Sazanit. Gjithashtu, Salianji nënvizon se në krye të kompanisë që investon në Sazan është një oligark rus, duke shtuar se ky fakt mund të rrezikojë sigurinë e Shqipërisë.
“Në këtë komision nuk ka përfaqësues të qeverisë. Dëgjuam dje kryeministrin Edi Rama që tha se një kompani e madhe ndërkombëtare do të investojë thuajse 1 miliard euro në ishullin e Sazanit. Një vit e gjysmë më parë e kam pyetur ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi nëse baza e Sazanit do të jepet për privatët, i vihej zjarri në atë kohë dhe i kam thënë se flakët vendosen për të bërë hotele, e është përgjigjur se nuk ka plan për privatizim të Sazanit.
Ne mbështesim çdo investim me garë, transparent, që mund të vijë në Shqipëri dhe që mund të bëjë më tepër për vendin tonë. E para, a ka lidhje me këtë kompani një i njohur nga ne, ju e publiku Charles McGonigal? Mjafton një kërkim i thjeshtë për të kuptuar se lidhja është e dukshme. E dyta, a ka lidhje dhe a i dëmton interesat e Shqipërisë fakti që një prej drejtuesve kryesorë është oligarku rus Vladislav Doronin? A keni shqetësime edhe ju si Komision Sigurie? Dua që investime të tilla të diskutohen këtu në Komisionin e Sigurisë”, u shpreh Salianji në Komisionin e Sigurisë.