Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Poker”, për për goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit.
Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar 3 shtetas ( Nikolin Prenga, pronari, Marjo Tusha punonjës dhe Xhesjan Senaj) ndërsa 23 të tjerë janë proceduar penalisht. Gjithashtu janë sekuestruar një sasi lënde narkotike, një tavolinë pokeri, 2 kompjuterë, çipsa dhe dy aparate celular.
Njoftimi i policisë:
Mirditë, Lezhë
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Poker”, për goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit.
Operacioni i zhvilluar nga shërbimet policore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe ata të Komisariatit Mirditë, në bashkëpunim Forcat Speciale RENEA.
Vihen në pranga 3 shtetas, procedohen në gjendje të lirë 23 të tjerë.
Sekuestrohen një sasi lënde narkotike, një tavolinë pokeri, 2 kompjuterë, çipsa dhe dy aparate celular.
Në vijim të kontrolleve të pandërprera në gjithë qarkun Lezhë, në zbatim të planit të masave për evidentimin dhe ndëshkimin ligjor të veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se në një ambient ushtrohej aktivitet i paligjshëm i lojërave të fatit, shërbimet e Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Forcat Speciale RENEA, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Poker”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë 3 shtetas dhe u proceduan penalisht 23 të tjerë.
Pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se shtetasi N. P. ushtronte aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në ambientin e lokalit të tij, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në ambientet e këtij lokali.
Në vijim të veprimeve, specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar kanë vënë në pranga shtetasit:
N. P., 46 vjeç, pronari i lokalit dhe M. T., 21 vjeç, punonjës në lokal, banues në Mirditë, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Përshtatja e lokalit për përdorim drogë”;
Xh. S., 21 vjeç (klient në lokal), për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Nxitja për përdorimin e drogës”. Këtij shtetasi, nga kontrolli i ushtruar nga shërbimet e Policisë, iu gjet një sasi e dyshuar cannabis sativa.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve u proceduan penalisht 23 shtetas të tjerë, klientë në lokal, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lëndë narkotike e dyshuar cannabis, një tavolinë pokeri, çipsa, dy kompjuterë dhe dy aparate celular.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Kontrollet kundër aktivitetit të lojërave të fatit do të vijojnë në të gjithë qarkun dhe në këtë kuadër Policia e Lezhës fton cilindo të denoncojë në numrin 112 ose përmes aplikacionit “Komisariati Dixhital”, çdo veprimtari të tillë të kundërligjshme, duke iu siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit./albeu.com