Ekzekutuan mikun e Martinajt dhe më pas plagosën “mikun” e tyre, tentativa e autorëve për të fshirë gjurmët në Laç

Janë publikuar pamjet e plota të vrasjes së Paulin Gjergji dhe Bujar Lika. Dy personat në fjalë mbetën viktima të një atentati të ndodhur në maj të vitit 2020 brenda një lokali në autostradën Milot-Mamurras pranë fshatit Gjormë të Kurbinit.

Në lidhje me këtë krim të dyfishtë janë dërguar për gjykim katër të pandehur për akuzat e vrasjes në rrethana të tjera cilësuese e kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje. Eduart Lamaj akuzohet se ka pasur rolin e ekzekutorit, ndërsa miqtë e tij Ilir Lika (Xhepaj), Klaudio Përkola dhe Oltion Vlashi në rolin e ndihmësit.

Së fundmi gazetari Artan Hoxha për këtë ngjarje deklaron se kjo është një vrasje e pastër me pagesë dhe një grabitje siç u pretendua. Sipas Hoxhës Bujar Lika i njohur si Ari, ka qenë njeriu më i afërt i Ervis Martinajt. Hoxha thekson se vrasësit janë kujdesur që të kryejnë porosinë deri në fund madje kanë krijuar edhe alibinë e grabitjes për të mos u zbuluar.

Në videon e publikuar nga Hoxha shihet të 4 autorët të cilët vijnë me maska dhe me uniforma komflazhi. I pari që hyn brenda lokalit dhe kryen vrasjen është Eduart Lamaj. Ai thërret në emër Bujar Likën, ndërsa më pas hap zjarr ndaj tavolinës ku ai ishte ulur me biznesmenin Paulin Gjergji. Sipas Hoxhës, Paulin Gjergji (Marku) nuk ka pasur asnjë lidhje me ngjarjen për shkak se ai po udhëtonte drejt Lezhës dhe është ndalur rastësisht në lokal.

Pasi Eduart Lamaj hap zjarr, ka qenë Bujar Lika që njihej si krahu i djathtë i Ervis Martinajt, ai i cili kundërpërgjigjet me pistoletë duke lënë të plagosur autorin Eduart Lamaj. Pasi ndodh vrasja miqtë e Eduart Lamajt, kanë mundur ta marrin të plagosur mikun e tyre dhe të ikin, ndërkohë që njeri prej tyre ruante me armë dy djemtë e Paulin Gjergjit.

Artan Hoxha thekson se autorët ishin të veshur me anti plumb, madje pikërisht anti plumbi i ka shpëtuar jetën Eduart Lamajt, pasi predhat nuk e kapën në pjesën e trupit por në këmbë.

Vetëm pak pas ngjarjes, 4 autorët shkuan në një fshat pranë vendit të ngjarjes. Aty ata kanë plagosur me armë zjarri Kreshnik Tushën për të krijuar një Alibi se ai ishte pikërisht personi që ka bërë atentatin. Për disa muaj Tusha ishte i dyshuar kryesor për policinë, për shkak të afërsisë me zonën ku ndodhi krimi dhe plagosja e tij. /abcnews.al/