Grupi i Sali Berishës ka kundërshtuar dhe dënuar draftin e Enkelejd Alibeajt me kriteret që vendosi për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit. Zëdhënësja e grupit të Rithemelimit, Floriana Garo përmes një deklarate për mediat u shpreh se kriteret e vendosura në draftin e Enkelejd Alibeajt janë faarsë për procesin për t’i shkuar pas Edi Ramës.
“Deputeti Alibeaj ka njoftuar me kundërshtim të plotë me Kuvendin e 30 prillit dhe rregulloren e grupit parlamentar, mbledhje të grupit parlamentar ditën e sotme. Ka shpërndarë pa pasur targer, marrëveshjen de facto Rama-Basha. Kështu Rama me dyshen e emëruar prej tij, Basha-Alibeaj zgjedh Presidentin e tij.
Në këtë kontekst, marrëveshja Rama-Basha-Alibeaj është një akt tradhtie për mbi 600 mijë votuesit e opozitës. Është një akt poshtërimi. Në këtë marrëveshje del qartë se kriteret janë ato që janë shpallur nga Rama.
Binomi Basha-Alibeaj i sjellin si të tyren. Me propozimin e tyre, Basha-Alibeaj duan të na bindin se po përjashtojnë kandidaturat e Ramës. Ky dokument vlen në kundërshtim flagrant me rezolutën e 2022 për Presidentin e Republikës. Kjo është një lojë e neveritshme me demokratët dhe popullin opozitar. PD i bën thirrje deputetëve të saj të distancohen nga loja e ulët Basha-Rama-Alibeaj në kurriz të popullit shqiptar dhe pluralizmit në Shqipëri”, tha Garo.
Ndërkohë që sot në orën 14:00 Enkelejd Alibeaj ka thirrur mbledhjen e grupit të PD-së. “Duke shpresuar të keni kaluar sa me mire ne fundjave, po ju shkruaj per mbedhjen e radhes se grupit. Sic u bisedua, ju lutem gjeni bashkelidhur dokumentin, ku jane sintetizuar me kujdes diskutimet qe beme ne mbledhjen e fundit, si dhe mendimet e derguara me email nga disa prej jush.
Vini re ju lutem qe dokumenti eshte ende draft, dmth eshte i hapur per t’u permiresuar, korrigjuar dhe shtuar per mbledhjen e neserme. Po jua dergoj qe sot me qellim qe secili prej jush te kete mundesi efektive per ta analizuar dhe per te kontribuuar ne permiresimin e tij”, thuhet në emailin e shpërndarë mbrëmë nga Alibeaj.
Një ditë para mbledhjes ai u shpërndau deputetëve një draft me kriteret dhe formulën e zgjedhjes së Presidentit, ku vë në dukje faktin se materiali nuk është përfundimtar dhe mund të ndryshojë në varësi të propozimeve të deputetëve.