Kardiologu Dr. Shk. Alfred Nona ka folur sot në “ABC e Mëngjesit” për valvulat e zemrës. Ai ka shpjeguar çfarë janë ato dhe rëndësinë që kanë për shëndetin e çdokujt.
“Valvulat e zemrës shërbejnë për të drejtuar fluksin e gjakut, pra gjaku duhet të hyjë në një drejtim dhe duhet të dalë në një drejtim tjetër pa u kthyer mbrapsht. Edhe ky drejtim përcaktohet nga gradienti presor që krijohet në dhomat e ndryshme të zemrës. Pra, funksioni i valvulave është mos të kthejë gjakun mbrapsht. Edhe nëse kjo nuk ndodh, pra kemi problematika te ecja përpara e gjakut apo rrjedhja mbrapsht jemi në fushën e valvulopative, në fushën e problemit të valvulave. Ne kemi 4 valvula në zemër, 2 në anën e djathtë dhe 2 në anën e majtë. Këto valvulat e anës së majtë janë më të rëndësishmet, pasi preken më shpesh, valvula mitrale dhe aorta”, tha Nona.
Më tej, kardiologu ka treguar simptomat që japin problemet me valvulat e zemrës, në varësi të fazës në të cilën ndodhemi.
“Valvulat kanë një periudhë latence shumë të gjatë. Ne mund të kemi problem valvular të lehtë që shkon në mesatar dhe në të rëndë. Edhe në këtë hark kohor mund të zgjas 20-30 vjet. Duhet thënë që valvulopatit e lehta nuk japin asnjë simptomë. Pacientët stresohen, humbasin kohë dhe ekonomi, për të parë nëse këto probleme janë të vogla. Pra, nëse janë të vogla nuk kanë asnjë problem dhe mesatare është shumë e vështirë që të jap simptoma. Jep simptoma nëse ne kemi 2 valvula njëherësh ose kur kemi probleme me koronaren, me enët e gjakut që ushqejnë zemrën. Me këtë rast japin simptoma, seriozia jep simptoma dhe ajo ka një periudhë shumë të mirë adaptimi zemra”, u shpreh ndër të tjera Nona.