Deklaratat e Yuri Kim për largimin e të inkriminuarve nga listat, Xhaferaj: E ka me Ramën, PD është e pastër

Kryedemokrati i Durrësit Ferdinand Xhaferaj ishte i ftuar në Syri TV duke folur në lidhje me hapjen e fushatës në këtë qark, programin e Partisë Demokratike si edhe problemet me të cilat po hasen durrsakët pasi u goditën nga tërmeti dhe pandemia.

Përballë gazetares Klaudia Karabolli, Xhaferaj theksoi se krahas tërmetit dhe pandemisë, banorëve të këtij qarku iu desh të vuajnë edhe keqqeverisjen e Rilindjes, ndërsa u ndal tek nevoja për ndryshim në vend si edhe masat që ka marrë PD për mbrojtjen e votës nga elementët kriminalë të mbështetur sipas tij nga Edi Rama dhe PS.
Xhaferaj tha se demokratët e kanë detyrim ndaj qytetarëve të Durrësit që të mbrojnë votën pasi të gjithë ata presin ndryshimin.

Numri 5 i listës së PD-së së Durrësit u ndal edhe tek deklaratat e bujshme të ambasadores amerikane Yuri Kim që kërkoi nga krerët e partive që të shmangin elementët e inkriminuar nga listat e kandidatëve.

Xhaferaj tha se ajo deklaratë ishte ndaj Ramës dhe të tijve, në një kohë kur kreu i PD-së Lulzim Basha ka qenë arkitekti i ligjit të dekriminalizimit dhe ka mbështetur çdo nismë të ndërkombëtarëve për largimin e krimit nga politika.

“Deklaratat e ambasadores amerikane janë ndaj Ramës, sepse arkitekti i zallamahisë me votat dhe raportetve me krimin është pikërisht Edi Rama. Ka një seri deklaratash nga ambasadorja amerikane që tregojnë se ata po shohin ndryshimin. Lulzim Bashaka qenë i vetmi lider që ka ecur krah për krah me ndërkombëtarët për dekriminalizimin. Basha është arkitekti i ligjit për dekriminalizimin, kurse Rama ka treguar se mbështet krimin. Basha është ai që ka mbështetur integrimin e Shqipërisë në strukturat euro-atlantike, kurse Rama na ka bllokuar për 8 vite jashtë dyerve të BE-së”, tha Xhaferaj.

Xhaferaj u ndal edhe tek nisja e fushatës nga PS duke i mëshuar faktit se kryeministri Rama, në asnjë rresht të fjalimit të tij nuk përmendi fjalën “integrim”.

“Është rasti i parë në historinë e tranzicionit në Shqipëri që në fjalën e tij, lideri i një partie që qeveris, nuk ka përmendur asnjëherë fjalën integrim. Kur objektiviiI shqiprtarëve është integrimi, është rasti i parë që Rama nuk përdor fjalën integrim në fjalimin e hapjes së fushatës. Dhe kjo tregon shumë, sepse është pikërisht ai personi që na ka bllokuar integrimin në BE”, përfundoi Xhaferaj. /albeu.com

Shtuar 27.03.2021 06:03