Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti fjalimin para mbështetësve të tij të mbledhur poshtë banesës.
Ai komentoi deklaratën e sotme të kryebashkiakut Erion Veliaj për tre drejtorët e arrestuar, duke thënë se ai doli të bënte avokatin e tyre.
Ndërkohë ai i cilësoi si individë pa moral që nuk kanë sjellë gjë tjetër përveçse vjedhje.
PJESË NGA FJALA E BERISHËS:
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, ju misionarëve të vërtetë të dinjitetit njerëzor, shpresës, besimit. Luftëtarë të pamposhtur kundër një regjimi të bazuar në aleancën e krimit, vjedhjen e qytetarëve, drogën dhe organizatat kriminale.
Të dashur miq, çdo ditë që kalon dëshmon se ju jeni shpresa e fundit e këtij vendi. Se vetëm beteja pa kthim, se vetëm mosbindja civile do mund të shpëtojnë Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Të dashur miq, dy ditë më parë, ju nisët një betejë tek Bashkia e Tiranës, e iniciuar nga Aleanca për Teatrin. Me këtë betejë ju sensibilizuat shqiptarët për modelin më të pashembullt të vjedhjeve që ka instaluar në Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj.
Të vjedhjes jo më me përqindje, por të vjedhjes 100 përqind të fondeve të prokurimeve publike. Të vjedhjes së këtyre fondeve nga drejtorët hajdutë dhe kryehajduti i tyre, Erion Veliaj. Ky akt është i paregjistruar përveçse në rastin e zhdukjes të 130 milionë eurove po në Bashkinë e Tiranës, po në djegësin e Tiranës, pa u investuar asnjë qindarkë.
Miqtë e mi, ju jeni shpresa e fundit e këtij vendi dhe e këtij kombi. Zhvillimet e këtyre dy ditëve dëshmojnë se sa e fuqishme, sa e pazgjidhshme është aleanca e krimit e këtyre pushtetarëve. Dhe se ajo ka vetëm një zgjidhje: betejën tuaj, fitoren tonë! Sot ju keni dëgjuar aq sa nuk keni dëgjuar ndonjëherë në 32 vite në një ditë.
Sot, kryebastardi dhe kryehajduti i Tiranës u tha qytetarëve se pronarët, punonjësit, drejtorët e tij të bashkisë, të cilët me kompaninë 5D, vodhën 100 përqind të prokurimeve, janë heronjtë e zinj të qytetit. Po ai doli para jush në një pafytyrësi ekstreme dhe filloi të bëjë avokatinë e tyre. T’i paraqesë ata si heronjtë e kryeqytetit, transformatorët e mëdhenj.
Individë pa moral, që nuk kanë sjellë asgjë tjetër përveçse vjedhje, vjedhje dhe vetëm vjedhje.