Vrasja e efektivit të policisë, 28-vjeçarit Novruz Cenalia nga Azgan Mërnica tre ditë më parë në Baltëz të Fierit, është kthyer në temë debati në Kuvendin e Shqipërisë.
Nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj, njëherësh deputete e PS, duke ju referuar Strukturës së Armatosur për Mbrojtjen e Votës të PD në zgjedhjet e vitit 2021 ka kërkuar nga SPAK që të nisë një hetim, pasi kjo strukturë ka prodhuar disa ngjarje kriminale.
Azgan Mërnica autori i vrasjes së efektivit Cenalia ka qenë pjesë e Strukturave të Armatosura të PD në vitin 2021, ndërsa ka pozuar edhe krah deputetit demokrat Luan Baçi.
Gjithashtu në foto është edhe vëllai i tij, Kiri Mërnica i cili tashmë ndodhet në burg, i dënuar me 19 vite për vrasje. Po ashtu felaj solli në kujtesë edhe ngjarjen e 21 prillit të vitit 2021 ku në mes të Elbasanit u vra mjeku Pjerin Xhuvani nga ana e Arbër Paplekajt i cili ishte pjesë e Strukturave të Armatosura të mbrojtjes së votës së PD.
“Ka të dhëna nga media, që janë konfirmuar edhe përmes qëndrimeve që kanë mbajtur kolegë deputetë që këta njerëz janë përdorur nga politike në zgjedhjet e 2021. U krijuan të ashtuquajtura struktura të votës për të cilat disa kolegë të opozitës thanë se kemi marrë njerëz profesionistë për të mbrojtur votën. Ngjarja në Elbasan, ngjarja në Fier… Është dhe dikush tjetër që është duke vuajtur dënimin me burg për mbrojtjen e votës në qarkun e Fierit”, tha Felaj.
E zhgënjyer Felaj u shpreh dhe nga reagimet e deputetëve të opozitës sa i përket vrasjes së policit.
“Unë besoj se edhe politika duhet të gjejë një përgjegjësi të vetën, sepse mënyra sesi ne sillemi e artikulohemi sesi kërkojmë të bëjmë për vete qytetarë, duke harruar se policët janë punonjës shteti, në funksion të institucioneve të shtetit e jo në funksion të politikanëve. Të heqim dorë nga mentalitetet e të shkuarës. E thashë, deputetë tanët këtu kanë mbajtur deklarata zhgënjyese as nuk kanë ngushëlluar për humbjen e një jete të re të një punonjësi me uniformë, as nuk janë distancuar nga personi në fjalë as nuk i kërkuan që të dorëzohej, e për më tepër i kanë bërë këto deklarata teksa mbahej protesta para bashkisë Tiranë“, shtoi deputetja./albeu.com