Arbi Agalliu: SPAK të hetojë mashtrimin me mikrokreditë, janë dëmtar 103 mijë qytetarë! 20 mijë janë në proces mashtrimi

Sekretari për Programin në Partinë Demokratike, Arbi Agalliu, përmes një deklarate për shtyp ka kërkuar nga Prokuroria Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar tqë të hetojë  skemën e mashtrimit me mikrokreditë. Sipas Agalliut nga kjo skemë janë dëmtuar 103 mijë qytetarë.

“Piramidat e Edi Ramës kanë dëmtar 103 mijë qytetarë dhe rreth 20 mijë prej tyre vazhdojnë të jenë në proces mashtrimi nga institucionet financiare që janë frymëzuar, ngritur dhe toleruar nga ai dhe shpura e zyrtarëve të korruptuar. 510 milionë euro janë paguar nga qytetarët më të pamundur të shoqërisë shqiptarë të cilët të presionuar nga funksionarët publik janë detyruar të paguajnë detyrime që nuk i kanë marrë kurrë. 570 milionë euro asete janë bllokuar ose kaluar për llogari të këtyre mashtruesve financiar si pasojë e lejimit të procedurave të paligjshme nga ana e hipotekave apo si pasojë e mos ushtrimit të kontrollit të organeve kompetente mbi përmbaruesit që kanë shkelur ligjin për të ndihmuar këto piramida moderne të ideuara dhe mbështetura nga Edi Rama dhe mëkëmbësit e tij”, u shpreh Agalliu.

“Partia Demokratike e Shqipërisë i bën thirrje Prokurorisë së Posaçme SPAK që të çojë deri në fund hetimet e nisura për këtë skemë gjigande mashtrimi si dhe të marrë në përgjegjësi penale të gjithë zyrtarët e lartë që kanë pasur dijeni për të”, shtoi Agalliu.


Shtuar 23.05.2024 14:38