Një situatë e pazakontë u regjistrua gjatë interpretimit të Katy Perry-t në festivalin muzikor Isle of MTV në Maltë. Këngëtarja mbeti për pak kohë brenda një shisheje të madhe plastike, e cila ishte pjesë e skenografisë.
Sipas programit të shfaqjes së 22 korrikut, Perry duhej të futej në shishen e fryrë dhe më pas fansat ta rrotullonin atë në drejtim të skenës. Por publiku e shtyu pa dashje nga ana e kundërt, duke e larguar nga vendi ku ishte parashikuar të mbërrinte.
Të lidhura
None found
Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale e tregojnë artisten duke qeshur dhe duke sinjalizuar nga skena, në përpjekje për t’i orientuar fansat që ta kthenin shishen në kahun e duhur. Gjatë këtij momenti, ajo nuk e ndërpreu performancën e këngëve “Hot N Cold” dhe “I Kissed a Girl”.
Pas disa çastesh, të pranishmit mundën ta drejtonin sërish shishen nga skena. Koncerti më pas vazhdoi normalisht dhe nuk u shënua asnjë incident tjetër.
