Antoneta Papapavli lindi më 17 shkurt 1938 në qytetin e Përmetit dhe sot do te festonte 85 vjetorin.
Aktorja e njohur shqiptare u nda nga jeta më 13 shtator 2013 në moshën 75 vjeçare.
U largua nga kjo jetë duke marrë me vete dy dhimbje të mëdha, humbjen e të birit dhe të bashkëshortit. Iku në heshtje dhe pa bujë, teksa kishte 23 vjet qe i mungonte skenës dhe publikut, kohë gjatë së cilës ka qenë e sëmurë.
Ka mbi 20 vjet karrierë artistike, ka interpretuar dhjetëra role në teatër dhe në filmin artistik shqiptar.
Ajo mbahet mend me rolet në teatër si Olimbia tek “Karnavalet e Korçës”, Drita te “Drita”, Mara te “Toka jonë”, Deizi tek “Arturo Ui”, Bajamja te “Fytyra e dytë”, Ledi Milford tek “Intrigë dhe dashuri”, Adela te “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, Gjyshja te “Hijet e natës”, Cuca tek “Cuca e maleve” etj.
Në kinematografi ka luajtur tek filmat, “Kur ndahesh nga shokët” – nëna e Zanës, Sania tek “Hije që mbeten pas”, drejtoresha tek “Shoku ynë Tili”, “Kur hapen dyert e jetës” -nëna e Lizës, “Hije që mbeten pas” – Sania, nëna e Marjetës, “Nxënësit e klasës sime”- Vangjelia, bashkëshortja e Kristoforit, “Apasionata” – Profesorja e Mirës, “Shoqja nga fshati” – Lefka, “Si gjithë të tjerët” – nëna e Jetës, “Kërcënimi” – Marina, nëna e Emës, “Përtej mureve të gurta” – nena e Asimese, “Ata ishin katër” – anëtarja e Këshillit, “Përballimi” – Klea, “Komisari i dritës” – Ngjela etj. Roli i fundit i saj është në komedinë “Pallati 176”.
Adhuruesit e kinemasë e kujtojnë atë me batutën “Thesin Aga!” në filmin “Përballimi”.
Për aktivitetin e saj artistik është nderuar me titullin “Artiste e Merituar”, me Urdhrin “Naim Frashëri” Klasi I dhe dekorata të ndryshme.