Propaganda e qeverisë, ironizon Bes Kallaku: 0 aksidente, 200% rritje ekonomie, Beyonce do pasaportë shqiptare

Editoriali i kësaj të diele i moderatorit të “Kosheres” Bes Kallaku i dedikohet propagandës së qeverisë.

Ai thotë se politikanët tanë na e servirin vendin si diçka që nuk është në të vërtetë. Madje, do të vijë një moment që sipas Besit, do të jemi si në Korenë e Veriut, ku në lajme do të thuhet që numri i aksidenteve është zero, apo edhe Beyonce ka kërkuar pasaportë shqiptare.

Në fund, Kallaku e mbyll fjalën e tij duke u shprehur se e gjitha ajo çfarë na ofrohet nga propaganda është thjesht një ëndërr.

“Po plasëm mo vëlla, është bërë propagand gjithë andej dhe tani më në fund 3D u bë ministri, ‘Ministria e Propagandës’. Kur dëgjojmë këta politikanët tanë, ministrat, kryeministrinë, lart madhërinë e tij si na e propagandojnë Shqipërinë, themi: ‘Ore ku o ky vendi, të shkojmë ta shohim një herë, mos të vdesim pa e parë këtë vendin’. Jo mo jo, thonë, kjo është Shqipëria se kështu na duket ne, po nuk është ashtu. Na duket cop-cop Shqipëria neve, na rreh syrin neve. Kanë të drejtën ata që thonë se Shqipëria është yll, kështu na e kanë bërë Shqipërinë. Yll na e kanë bërë Shqipërinë, po po ta shohësh është më keq se Ylli Baka.

Lerë si ju duket Shqipëria juve dhe mua, rëndësi ka si na paraqitet Shqipëria nga ministria e Propagandës. Nuk e di për ju, unë kam një shembull në kokë që them do funksionojë. E keni parasysh, Korenë e Veriut, Kim Jong-un, ashtu do na serviret Shqipëria neve, do thonë pastaj në lajme, nëpër portale: ‘Shqipëria mundi Italinë 20 me 0. Është ministri, do bëhet ligj tani 200% sukses në ekonominë e vendit. Është rritur ekononomia me 200%, Shqipëria destinacioni i preferuar turistik i të gjithë turistëve të huaj. Ka rënë në zero % numri i aksidenteve’. Ky komshiu im dje është përplas, të rreh syri ty, të rreh syri ty, na rreh syri ne, komshiun nuk e ka gjet gjë, nuk është përplas, nuk ka pasur aksidente.

Do dali edhe ndonjë lajm i tillë: ‘Beyonces i refuzohet pasaporta shqiptare se nuk plotësonte kriteret për një pasaportë të tillë. Vetëm Kim Kardashian e mori’. Edhe thonë pastaj që Shqipëria është vendi, ku Covid nuk ekziston se e tremb muzika në orën 11 e mbrapa. S’ka faj, se i mungon argëtimi do thoshte rinia. Tani që 3D është bërë ministri e veçantë, nuk na mbetet gjë tjetër, që të gjithë këtë Shqipëri që do na e propagandojnë, do na e servirin kaq bukur, kaq pasur do të themi:’Flini, flini dhe pafshi në ëndërr gjëllë pasanikësh’”, tha ndër të tjera Bes Kallaku./abcnews.al


Shtuar 26.09.2021 20:57