Fifi ka publikuar këngën më të re të titulluar “Vëmendje”. Nisur nga titulli, ylli i muzikës lë të kuptohet se është një këngë që flet për atë që ka kaluar pas daljes nga “Big Brother VIP”. Si duket, ajo i referohet akuzave pas daljes nga shtëpia e famshme, se gjithçka e ka bërë për vëmendje.
Fifi ndalet gjithashtu te momenti kur i bie të fikët gjatë spektaklit live, që u pasua më pas me daljen e saj nga “BB VIP”, teksa ironizon komentet se ka qenë aktrim nga ana e saj. Mes të tjerash, këngëtarja shprehet se e kanë përdorur dobësinë e saj teksa thekson “dikush po kënaqet me dhimbjen time”.
“Spontakisht me qajt, krejt thonë drama queen. Parameno gabimisht me të rënë të fikët. Ke aktru, do vëmendje. E ka bo për vëmendje, për vëmendje…A është dikush atje që ka me më dasht, a është dikush jashtë me m’përqaf. Dikush po knaqet, me dhimbjen tem po knaqet”, thotë ajo mes rreshtash.
Kujtojmë që pak ditë më parë, artistja e shumë hiteve reagoi ashpër ndaj organizatorëve të “Big Brother VIP”, pas një promoje që publikuan për edicionin e dytë të reality show-t. Në promo, përfshihej gjithashtu momenti ku asaj i bie të fikët, i cili u komentua gjerë e gjatë në rrjet.
“Faleminderit shumë për gjithçka Top Channel. Faleminderit edhe për 4 vjet që më keni dhënë bukë për të ngrënë, faleminderit që po ma shkatërroni jetën, faleminderit që nuk po ma lini të harrojë një skenë shumë të rëndë për mua dhe familjen time”, shprehej mes të tjerash Fifi pak ditë më parë.