Eglantina Kume është një nga protagonistet e filmit “Ngadhënjim mbi vdekjen”, i xhiruar në vitin 1967 nga regjisorët Piro Milkani dhe Gëzim Erebara. Filmi që u kushtohej dy dëshmoreve gjirokastrite u hoq shumë shpejt nga repertori i kinemave, ndërsa jehona e tij vazhdoi shumë më gjatë edhe në … Kinë.
Regjisorëve Pirro Milkani dhe Gëzim Erebara iu duhej një vajzë e re, e thjeshtë dhe e pafajshme për rolin e Mira Koranit, e cila mishëronte heroinën Bule Naipi. Eglantina i rikthehet përsëri 1967-s, vitit të saj me fat. “Isha një nga 12 konkurrentet për protagonisten.
Regjisorët nuk u mjaftuan me një prove-rrëfehet Egla. Vetëm pas tre kinoprovash Erebara dhe Milkani vendosën që gjimnazistja nga Durrësi të fillonte xhirimet për filmin që do të bënte të njohur Eglantina Kumen deri në Kinën e largët.“Në vitin 2007 një TV kinez më ftoi të udhëtoja drejt vendit të madh aziatik”, -tregon Eglantina Kume. Një regjisor i njohur po punonte për një cikël emisionesh mbi filmat e vendeve të lindjes që pasqyronin luftën. Filmi “Ngadhënjim mbi vdekjen” zinte vend në këtë grup.
“Në fakt unë dija diçka për pritjen e këtij filmi në Kinë. Bashkëshorti im, Fatmiri, i cili kishte udhëtuar si instrumentist në disa qytete në vitin 1969 më kishte treguar për suksesin e “Ngadhënjimit””.
Në kinematë kineze në atë kohë shfaqeshin vetëm tre filma kinezë dhe tre shqiptarë. Portreti i Mirës ndodhej në fasadat e ndërtesave të mëdha. “Në aeroport më pritën shumë ngrohtë”, kujton Mira, që ka udhëtuar me të birin Helion.
Grupi i xhirimit nisi menjëherë punën. Ishim gjatë gjithë kohës së bashku, edhe kur më ftonin në emisione të ndryshme radiotelevizive. Ndjeja respektin e plot njerëzve, jo vetëm intelektualë, por edhe qytetarëve të brezit tim, të cilët më shtrëngonin dorën apo më kërkonin një autograf. Më rikthyen dinjitetin e munguar të kohës së komunizmit në Shqipëri”, shprehet Egla.