Kate Cassidy ka treguar përse vendosi të hiqte disa prej tatuazheve që realizoi në kujtim të partnerit të saj të ndjerë, Liam Payne, ish-anëtar i One Direction.
Të lidhura
None found
Influencerja 27-vjeçare ndau në TikTok një video nga procesi i heqjes së tyre me lazer. Ajo sqaroi se ky veprim nuk nënkupton se tatuazhet kanë humbur vlerën emocionale, por lidhet vetëm me pamjen e tyre.
Në pamjet e publikuara fillimisht, Cassidy shfaqet duke hequr nga gishtat një palë krahë engjëlli dhe numrin “4”. Më vonë, përmes një postimi në Instagram, ajo njoftoi se po hiqte edhe tatuazhin “444”.
“Vendosa të heq disa tatuazhe që nuk dolën mirë. Do t’i bëj përsëri në të ardhmen”, shkroi ajo.
Cassidy bëri të qartë se këto simbole vazhdojnë të kenë një rëndësi të veçantë për të. Në të ardhmen, ajo synon t’i realizojë sërish, këtë herë me një dizajn më delikat dhe në një pjesë tjetër të dorës.
“Këto tatuazhe janë shumë të veçanta për mua. Do t’i bëj sërish, por do të jenë shumë më diskrete, me vija më të holla, si tatuazhet që kam në dorën tjetër, dhe do t’i vendos pak më poshtë”, deklaroi Cassidy.
Vendimi i saj solli reagime në rrjetet sociale, ku disa ndjekës pretenduan se heqja e tatuazheve tregonte se ajo nuk e donte më këngëtarin. Cassidy iu përgjigj këtyre komenteve, duke theksuar se motivi i vetëm ishte estetik.
Sipas saj, ideja fillestare kishte qenë që tatuazhet të kishin një pamje shumë minimaliste, por përfundimi rezultoi më i theksuar nga sa kishte parashikuar.
Për këtë arsye, ajo dëshiron që versionet e reja të realizohen nga një artist me më shumë përvojë në tatuazhet me vija të holla, të njohura si “fine line”, dhe të vendosen në një zonë tjetër të dorës.
Krahët e engjëllit ishin realizuar nga Kate Cassidy rreth dy muaj pas vdekjes së Liam Payne. Këngëtari ndërroi jetë në tetor të vitit 2024, pasi u rrëzua nga ballkoni i një hoteli në Buenos Aires, Argjentinë.
Tatuazhet u bënë për të mbajtur gjallë kujtimin e Payne, ndërsa Cassidy ka nënvizuar se ndryshimi i dizajnit dhe pozicionit të tyre nuk e zbeh në asnjë mënyrë domethënien emocionale që ato kanë për të.
