Në emisionin “ZemërLuana”, Butrint Imeri foli për herë të parë për ndarjen nga Kiara Tito, lidhje që është komentuar e ka marrë shumë vëmendje në media, por që asnjëherë nuk ishte pranuar nga protagonistët. Fakti që këngëtari foli, u mor si konfirmim nga ana e mediave dhe fansave të tyre, ndërkohë që sot ka ardhur edhe reagimi i Kiarës, e cila po ashtu flet për të parën herë.
E ftuar në emisionin “Rudina”, bashkë me gjyshen e saj, me të cilën edhe e ka komentuar lajmin, moderatorja tha se marrëdhënien e tyre e kishte konsideruar si dicka serioze, ndërsa sërish arsyet e ndarjes mbeten më shumë të paqarta se të qarta.
Pjesë nga biseda që u zhvillua në studio:
“Rudina Magjistari: Në programin “Zemër Luana”, që i urojmë shumë suksese, ishte i ftuar një këngëtar, Butrint Imeri, i cili foli pikërisht për Kiarën, edhe tha që kanë qenë miq të mirë. Çfarë tha gjyshja, e ndoqe?
Gjyshja e Kiara Titos: Po miq-miq kanë qenë Rudina, miq kanë qenë…
Rudina Magjistari: Se nuk kishte folur më përpara dhe bëri lajm diçka e tillë…
Gjyshja e Kiara Titos: Po miq kanë qenë…
Rudina Magjistari: Po të erdhi keq që i kanë ndërprerë?
Gjyshja e Kiara Titos: Jo. Fare. Me atë person fare. Nuk pati ndonjë lidhje serioze.
Kiara Tito: Po si moj s’e kishim serioze?!
Rudina Magjistari: Paska qenë serioze domethënë?
Gjyshja e Kiara Titos: Po për momentin ashtu kemi qenë të gjithë ne, një, dy, tre… apo jo Rudina…
Kiara Tito: Jo, ideja është që përgjithësisht te vetja ime, një marrëdhënie e kam quajtur gjithmonë serioze, s’e nuk është se i kam hyrë diçkaje pa e quajtur të tillë…
Rudina Magjistari: Nisesh gjithmonë me dëshirën më të mirë?
Kiara Tito: Nisem gjithmonë me dëshirën më të mirë. Serioze mbase ngjan fjalë shumë e madhe, por është një marrëdhënie normale. Çfarë mendimi kishe ti Leta?
Gjyshja e Kiara Titos: Unë kisha mendim zero.
Rudina Magjistari: Po gjyshja të pyeti pse u ndatë? Se një lloj përgjigje u dha dje, që thjesht u ndatë pa asnjë arsye. Po gjyshja e kishte merak këtë pjesë?
Kiara Tito: Gjyshja normalisht ka mësuar edhe nga portalet, e normalisht do të më pyeste, por nuk më ka ndërhyrë shumë, gjithmonë kanë pasur besim te zgjedhjet e mia dhe jo çdo gjë që nis duhet të përfundojë, gjithçka mund të ndodhë rrugës.
Le të themi që gjyshja e Kiarës nuk qenka fare fanse e Butrintit. Besojini gjithmonë gjysheve, ky është mesazhi…