Alban Ramosaj arriti të triumfonte këtë vit në “Kënga Magjike” me këngën e tij “Thikat e mia”, që bëri për vete publikun shqiptar në fare pak kohë. Kjo baladë e fuqishme arriti të rrëmbente shumicën e pikëve nga artistët, por edhe nga publiku e juria profesioniste e festivalit. Pas fitores, Alban Ramosaj u shpreh mjaft i emocionuar dhe gati thuajse nuk e besonte që e kishte fituar çmimin e madh. Këtë fitore ai ja dedikoi nënës së tij, Antigone Ramosaj, për gjithë sakrificat që ajo ka bërë që Albani të arrinte këtu ku është sot.
Ndërkohë pas fitores në “Kënga Magjike”, Alban Ramosaj duket se i ka synimet shumë të qarta. Në një intervistë të dhënë për blogun më të madh të “Eurovision”, “Wiwibloggs”, këngëtari shqiptar la të kuptphet se së shpejti do të konkurrojë në “Festivalin e Këngës”, që t’i jepet mundësia për të prekur skenën e “Eurovision”.
Ai tha se festivali europian ka qenë gjithmonë një nga ëndrrat e tij më të mëdha dhe se dëshiron shumë ta përfaqësojë Shqipërinë një ditë për të marrë gjithë dashurinë dhe vëmendjen e publikut. Gjithashtu Albani tha se i preferuari i tij për këtë vit ishte Gjon’s Tears, përveç Anxhela Peristerit. Ndër të tjera ai u shpreh shumë krenar për veten, që arriti të fitonte i pari nga familja Ramosaj-Hadërgjonaj çmimin e madh në “Kënga Magjike”.