Kush do prekë Eurovizionin? Sonte publikohen 28 këngët e Festivalit të 64-t të Këngës në RTSH

Pritjes i erdhi fundi, sonte në mbrëmje pritet të publikohen 28 këngët konkuruese të FEST 64. Organizatorët e Festivalit kanë njoftuar në rrjetet sociale se gjithçka është gati, ndërsa këngët do të jenë tashmë një refren i përditshëm i fansave te cilët mezi presin të dëgjojnë këngët e artistëve të tyre të preferuar.

Sonte në mbrëmje Radio Televizioni Shqiptar do të publikojë zyrtarisht këngët e 28 artistëve pjesëmarrës në edicionin e 64-të të Festivalit të Këngës. Emrat e rikthyer, surprizat, debutimet dhe prurjet e reja do të zbulohen njëherësh, duke ndezur atmosferën dhe emocionin drejt 4 netëve të Festivalit të fundvitit i cili do të mbahet nga data 17 deri në datën 20 dhjetor.

Nata e parë dhe nata e dytë do të jenë dy netët konkurruese, në natën e tretë do vijojë të ruhet tradita e nostalgjisë, ndërsa nata e katërt është dhe nata finale ku njëri prej artistëve konkurues do të shpallet fitues si edhe do të ketë mundesinë që të përfaqësojë këtë vit Shqipërinë në Eurovizion 2026 i cili do të mbahet në Vjenë të Austrisë.

Publikimi i këngëve shënon kështu nisjen zyrtare të garës muzikore më të rëndësishme të vitit, e cila këtë dhjetor pritet të sjellë emocione, energji dhe performanca të jashtëzakonshme nga artistët pjesëmarrës. Të gjithë sytë janë nga RTSH, ku në orët e mbrëmjes publiku do të njihet me krijimet që do të garojnë për trofeun e madh.


Shtuar 1.12.2025 20:18