E ftuar në emisionin “E Diell”, regjisorja Anila Varfi ka sjellë një dëshmi prekëse për një nga plagët më të thella të jetës së saj – ndarjen e hershme nga i vëllai. Kjo tragjedi, sipas saj, ka ripërcaktuar tërësisht perspektivën e saj mbi jetën dhe realitetin.
Gjatë një momenti reflektimi në studio përballë një fotografie të vjetër familjare, Varfi ka folur me emocion të thellë për boshllëkun dhe mallin që ka lënë vdekja e të vëllait në një aksident në Greqi. Ajo e përshkroi atë si një pikë kthese që jo vetëm e transformoi rrënjësisht, por edhe e lidhi më ngushtë me pasionet dhe dimensionin e saj shpirtëror.
Të lidhura
None found
Duke komentuar fotografinë, regjisorja u shpreh: “Këto imazhe të kthejnë në të shkuarën dhe të ndihmojnë të kuptosh prejardhjen tënde; shpesh mbetesh e habitur para tyre. Të ngjallin emocione të forta. Ka një kënaqësi kur gjërat ngadalësohen dhe ti arrin të kapësh atë çka nuk mund ta vlerësoje dot në të kaluarën. Tani e përjeton me mall, respekt dhe mirënjohje për ato rrënjë.”
Ajo rrëfeu se deri në moshën 18-vjeçare ka jetuar në Elbasan dhe se fotografia, ku ajo ishte 4 vjeçe kurse i vëllai 1, i shkaktonte një ndjesi mungese. “Në ata sy të gjelbër të fëmijës, unë në moshën 27-vjeçare kam zbuluar bukurinë e së gjelbrës në amshim. Ai është vëllai im, që rron dhe vijon të jetojë në çdo grimcë dhe copëz të kohës sime. Me të vërtetë jeton. Unë isha tri vite më e madhe. Nuk e di pse më vështronte ashtu. Më thërriste ‘Madam’ dhe ajo kohë, në vegimet e individit, kështu më ka folur.”
Duke kujtuar rrethanat e tragjedisë, Varfi tregoi se vëllai i saj ishte vetëm 24 vjeç kur pësoi aksidentin fatal në Greqi. “Kjo është jeta. Një goditje shkatërrimtare për nënën dhe babanë, e më pas edhe për mua. Në atë kohë unë isha e martuar dhe kisha lindur djalin. Çuditërisht, marrëdhënia ime me vdekjen e transformoi nga themeli çdo aspekt të ekzistencës sime. Në këtë mënyrë jetese që kërkoja pas ndarjes, gjithçka ishte tejet e vërtetë. Përpiqesha të gjeja shenja që lidheshin me një realitet përtej këtij, dhe ky ka qenë momenti që më ka formuar në mënyrë krejt ndryshe dhe më bëri ta dua akoma më shumë ëndrrën”, përfundoi ajo mes lotësh.
